Vllaznia mposht për të dytën herë këtë sezon Kukësin, kësaj here 0-1 në fushën e këtij të fundit. Mjaftoi një gol, por me shumë vlerë për ekipin shkodran, që ngjitet në vendin e tretë, vetëm 3 pikë larg kreut. Ndërsa për Kukësin ishte humbja e tretë radhazi dhe tashmë bie në vend të parafundit.
Vllaznia e nisi shumë mirë ndeshjen duke ushtruar presion dhe kërkuar golin me ngulm. Loja më pas zhvillohet në mesfushë, me Kukësin që arrin të balancojë sfidën. Për të ardhur në minutën e 43-të, kur Esin Hakaj, me një gjuajtje nga jashtë zone shtang portierin Tafas.
Edhe me fillimin e së dytës janë miqtë aata që luajnë më mirë dhe kërkojnë golin e dytë. Shtylla ia mohon golin Boshnjakut në minutën e 60-të, me kuqeblutë që vijojnë të krijojnë raste edhe në vazhdim. Vllaznia ul ritmin e lojës në fund, ndërsa Kukësi është konfuz dhe mungojnë gjuajtjet drejt portës. Miqtë arrijnë të mbrojnë golin e vetëm dhe marrin tri pikë me shumë vlerë, ndërsa verilindorët i rikthehen krizës së fillimit të sezonit.