Gjykata e Apelit ka rikthyer në detyrë 6 punonjësit e policisë së Elbasanit, të cilët u pezulluan me vendim gjykate pas kërkesës së prokurorisë së Elbasanit, e cila po heton dosjen e vrasjes së mjekut psikiatër Pjerin Xhuvani tre ditëve para zgjedhjeve.
6 policët në fjalë kanë qenë në detyrë ditën e vrasjes së mjekut psikiatër Pjerin Xhuvani në Elbasan, nga një nga badigardët e PD-së.
Bëhet fjalë për punonjësit e policisë të “Forcave Shqiponja”Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun, Erion Ballën, Erion Meçje , Donald Dedjen dhe Besmir Kadiun.
Nga nesër ata do të rikthehen në punë, pasi ditët e fundit Gjykata e Apelit Durrës ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë në Elbasan.
Vendim i cili u mor nga kjo gjykatë pas kërkesës që prokuroria e Elbasanit bëri për pezullimin nga detyra dhe hetimin në gjendje të lirë të 6 punonjësve të policisë së Elbasanit.
Si u vra Pjeter Xhuvani
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve një punonjëse policie. Pas ngjarjes, në polici u vetë dorëzua si autor i krimit Arbër Papleka, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi. Papleka, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.