Fill pasi publikova dje një sondazh që tregonte se votat e përkrahësve të PD-së ishin të ndarë në dy pjesë (shumica me fraksionin e Berishës dhe pakica me fraksionin e Alibeajt), rastisi të bëhej një drekë afër Mukjes së famshme, ku ishin mbledhur deputetë të të dyja fraksioneve. Ajo drekë ishte një sinjal që tregonte se ka gjasa që deputetët e fraksioneve mund të bashkohen para zgjedhjeve të rëndësishme të 14 majit. Por a mund të ketë edhe një bashkim arithmetik të segmenteve elektorale përkatëse?
Tamam kur Basha e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së vjet në shtator, më rastisi të zhvilloj një sondazh kombëtar, ku rezultoi se elektorati i PD-së ishte i ndarë në dy pjesë të barabarta – gjysma me Bashën e gjysma me Berishën. Ndërsa në sondazhin e djeshëm, fraksioni i Alibeajt kishte një përkrahje sa cereku i atij të Berishës.
Në qoftës e do të bënim një mbledhje mekanike të numrave të dy fraksioneve (plus numrave të PL etj), do të kishim një situatë konkuruese mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar. Por 2 plus 2 nuk bejne 4 elektoralisht…
Ata zgjedhës të thjeshtë të djathtë që zgjidhnin Bashën vjet në shtator, apo zgjedhin Alibeajn sot, nuk janë përkrahës personalë të tyre – ata thjesht janë anti-berishistë. Dhe kjo vërtetohet nga fakti se në 3 sondazhe që kam zhvilluar së fundi për garën Këllici-Veliaj, ky i fundit më ka rezultuar me 54-55 përqind të votave dhe Këllici me 45-46 përqind. Ndërsa kur kam futur në pyetje një kandidat të tretë hipotetik të fraksionit Alibeaj, ka patur rënie në përqindje si të Veliajt, edhe të Këllicit. Gjë që tregon se një pjesë e të djathtëve anti-berishë mund të votojnë për një kandidat anti-berishë, por nuk do të votonin fare, në qofttë se janë në garë vetëm dy kandidatë – një i Ramës e një i Berishës….