MENU
klinika

Analiza

2022-shi i Gjermanisë: Pika kthese dhe premtime të mëdha!

15.12.2022 - 13:30

Gjermania bën kthesën e madhe. Berlini nis përgatitjet për luftë. Lufta në Ukrainë, e nisur para gjashtë muajve, ka ndryshuar shumë edhe qëndrimin e Gjermanisë.

Qëndrimet gjermane kanë ndryshuar në shumë aspekte, të sigurisë, në politikë dhe ekonomi. Komiteti i buxhetit i parlamentit gjerman miratoi ditën e djeshme një blerje prej dhjetë miliardë eurosh të avionëve luftarakë F-35 nga kompania amerikane Lockheed Martin, thanë dy anëtarë të komisionit për Reuters.

Ky është një nga projektet e para të mëdha të mbrojtjes që Berlini do të përdorë fondet nga një fond special prej 100 miliardë eurosh, të cilin kancelari Olaf Scholz e shpalli në një ndryshim të madh në politikën gjermane të mbrojtjes, disa ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt. Paratë synojnë të rivendosin armët dhe pajisjet e Bundeswehr-it në një nivel të lartë, pas dekadash shkurtimesh fondesh që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Gjermania synon të blejë 35 avionë luftarakë “stealth” F-35 me raketa, armë dhe pajisje të tjera dhe tetë avionët e parë do të dorëzohen në vitin 2026.

Avioni amerikan do të zëvendësojë Tornadon e vjetër, i vetmi avion gjerman i aftë të mbajë bomba bërthamore amerikane të stacionuara në Gjermani për t’u përdorur në rast konflikti.

Kancelari Olaf Scholz përgatiti terrenin për ndryshime dhe atë vetëm tre ditë pas agresionit rus në Ukrainë. Më 27 shkurt ai mbajti një fjalim që mund të quhet si “pikë kthese”, kur konstatoi: Bundeswehri (ushtrira gjermane), i cili është lënë pas dore për dekada të tëra, duhet të vihet sërish në qendër të vëmendjes.

Ai kërkoi krijimin e një fondi prej 100 miliardë eurosh për armatimin dhe përgatitjen më të mirë të ushtrisë gjermane. Ajo që kërkohej në NATO prej vitit 2014, si reagim ndaj aneksimit rus të Krimesë që të ndahen të paktën dy përqind të Prodhimit Kombëtar Bruto për nevojat e mbrojtjes, do të realizohet në të ardhmen.

E kjo e bëri buxhetin e armatimit të Gjermanisë më të madhin në Evropë. Kancelari premtoi se do të mbronte çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Gjashtë muaj më vonë, eksperti amerikan Josef Braml deklaroi: “Fjala ‘kthesë’ tërhoqi vëmendjen e Uashingtonit. Dhe qeveria gjermane vërtet e bëri këtë.

Pra, ajo që u ka pëlqyer veçanërisht amerikanëve është se Gjermania po investon një pjesë të madhe të shumës në Lockheed Martin dhe blen avionë luftarakë F35. Kjo është zgjidhje shumë e shtrenjtë. Në këtë mënyrë ne do të jemi të fiksuar dhe të varur për dekada nga teknologjia amerikane”, tha ai.

Kujtojmë gjithashtu se gjeneralët më të lartë të ushtrisë gjermane i kanë kërkuar vendit që të përgatitet për një luftë të afërt me Rusinë, mes frikës se lufta në Ukrainë do të përshkallëzohet në një konflikt global me NATO-n.

Në një dokumentet konfidenciale të zbuluara në botimin gjerman Der Spiegel pak javë më parë, një nga gjeneralët më të lartë të vendit Eberhard Zorn urdhëroi ushtrinë e vendit të vihej në një bazë lufte përballë kërcënimeve “ekzistente”.

Dokumenti politik prej 68 faqesh i prodhuar në fund të shtatorit titullohej “Udhëzimet Operacionale për Forcat e Armatosura” dhe në të, gjenerali Zorn bëri thirrje për rinovimin e plotë të ushtrisë gjermane dhe për t’u përgatitur për luftë. “Sulmet ndaj Gjermanisë potencialisht mund të ndodhin pa paralajmërim dhe me dëme të mëdha, ndoshta edhe ekzistenciale”, shkruante ai.

Ai paralajmëroi se një luftë në një vend anëtar të NATO-s në Evropën Lindore “është bërë përsëri e mundshme” dhe i bëri thirrje Gjermanisë të luajë një rol udhëheqës në mbrojtjen e kontinentit dhe të krijojë një forcë të armatosur më “të fuqishme”.

Në vend që të zvogëlonte njësi më të vogla dhe të specializuara në misione jashtë vendit, ai kërkoi njësi të mëdha që janë të gatshme të luftojnë për NATO-n. Pra kjo çon një ndryshim drastik në politikën moderne ushtarake të Gjermanisë, e cila që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore është fokusuar në mbajtjen e një ushtrie të vogël, ndërkohë që ka baza ushtarake të huaja në tokën e saj.