Bashkitë nuk po ulin vlerën e borxheve që kanë për investime të kryera, mallra të blerë, shërbime të marra apo gjyqe të humbura.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se detyrimet e prapambetura të 61 njësive të pushtetit vendor arritën në 6,7 miliardë lekë apo gati 60 milionë euro në fund të shtatorit, në rënie në krahasim me një vit më parë, por duke u rritur në raport me vitin 2020.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon që shlyerja e detyrimeve të prapambetura të mos lihet më vetëm në vullnetin e bashkive. “Financat” propozojnë që 30% e parave që bashkitë nuk arrijnë të përdorin të shkojnë për të shlyer borxhet.
Merita Toska, eksperte për financat vendore, tha: “Është një barrë që vjen dhe mbartet me vete çdo vit. Çdo kryetar bashkie vjen me mendësinë: pse duhet të paguaj unë borxhet e tjetrit. Futja e këtij rregulli mund të jetë diçka pozitive”.
Për t’u dhënë një “një dorë më shumë” bashkive më në vështirësi, Qeveria u kaloi këtyre të fundit një fond shtesë prej 1 miliard lekësh në rishikim e fundit të buxhetit në fillim të muajit.
“Erdhi si surprizë, pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte thënë se nuk do të ndërhynte në lehtësimin e barrës së borxheve që bashkitë kanë”, u shpreh Toska.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se bashkitë më problematike në drejtim të borxheve të akomuluara janë Kavaja, Vora, Berati, Pogradeci e Lezha. Harta zgjerohet me Kamzën, Dibrën, Cërrikun, Durrësin dhe Pustecin.