Deri në qershorin e këtij viti, janë 7 mijë qytetarë nga Shqipëria që kanë kërkuar azil në Britaninë e Madhe.
Kjo shifër sipas të dhënave është ajo çka është përftuar nga kalimet në La Mansh vetëm për muajt e pranverës, ndërkohë që tashmë nuk dihet se sa është numri. Laburistët dhe konservatorët po përplasen ashpër në lidhje me faktin që nga mundësia për azil duhet të përjashtohen emigrantët që vijnë nga Shqipëria, meqë ky vend për ta konsiderohet i sigurt.
Përkundër reagimit të OKB-së pak ditë më parë që iu bëri thirrje që trajtimi i emigrantëve të bëhet në kushte të barabarta, britanikët thuajse po provojnë të gjithë mekanizmat për dëbimin e shqiptarëve që kanë hyrë në Britani, kryesisht këtë vit. Ata ankohen se për strehimin e tyre harxhohen çdo muaj rreth 5 milionë paund, por në këtë harxhim ata gjithnjë iu referohen shtetasve-emigrantë të ikur nga Shqipëria e “sigurt”.
“PËRPLASJA” MES DY RRYMAVE POLITIKE
Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Yvette Cooper, tha se kjo masë për trajtimin e “sistemit në kaos” duhet të përfshinte Shqipërinë. Laburistët do t’i nxitonin aplikimet për azil për njerëzit që vinin nga vende të caktuara që konsiderohen “të sigurta”, përfshirë Shqipërinë, në përpjekje për të lehtësuar numrin e kërkesave, tha Yvette Cooper.
Sekretarja e Brendshme tha se donte të ringjallte një sistem që laburistët e përdornin gjatë kohës që ishin në qeveri, në të cilin Zyra e Brendshme i jepte përparësi pretendimeve nga vende të caktuara dhe i përpunonte ato brenda disa ditësh, bën me dije “The Guardian”. Kjo skemë u braktis, pasi gjyqtarët vendosën se ishte “strukturalisht e padrejtë”, me rreth 99% të kërkesave që ishin refuzuar pothuajse menjëherë.
Cooper tha se një kthim në sistemin e shpejtë ishte i përligjur për shkak të vonesave të mëdha në përpunimin e kërkesave për azil. Gati dy të tretat e aplikantëve për azil kanë pritur më shumë se gjashtë muaj për një vendim, thonë shifrat e “Home Office”.
Cooper i tha programit të “Radio 4 Today”: “Ne do t’i përshpejtonim rastet nga shtete të caktuara të sigurta, që përfshijnë edhe Shqipërinë-ku ka pasur një rritje të madhe të njerëzve që mbërrijnë kohët e fundit. Dhe kjo do të thotë që nëse çështjet janë qartazi të pabazuara, për to mund të merret vendim shpejt dhe të kthehen me shpejtësi”. Ajo shtoi: “Për momentin, sistemi është në kaos”.
SHPENZIMET PËR AZILIN
“Home Office” po përpiqet të pastrojë numrin e kërkesave për azil që i ka të pazgjidhura. Këtë vit, 44,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin me varka të vogla dhe qeveria thotë se po shpenzon gati 5 milionë paund çdo ditë duke strehuar 37,000 njerëz në hotele, ndërkohë që rastet e tyre janë duke u përpunuar. Shifrat e “Home Office” tregojnë se këtë vit, deri në qershor 2022, më shumë se 7,000 shqiptarë kanë bërë kërkesa për azil në Mbretërinë e Bashkuar, pasi kanë mbërritur me varka të vogla.
Vetëm për 50 prej tyre deri më tani është marrë vendim. Problemi po shkakton një telash politik për Kryeministrin Rishi Sunak, i cili është nën presionin e deputetëve të tij për të ndërmarrë veprime më të rrepta. Muajin e kaluar, 50 deputetë konservatorë i shkruan kryeministrit duke i kërkuar që të refuzojë automatikisht kërkesat për azil nga ata që pretendonin se ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore dhe t’i kthente në “fshatrat nga erdhën”.
Suella Braverman, sekretarja e Brendshme, thuhet se po harton plane që do të refuzonin automatikisht aplikimet nga kushdo që vjen nga vendet “të sigurta”, përfshirë Shqipërinë. Kjo ide ka marrë kritika të ashpra nga OKB-ja, e cila paralajmëroi këtë javë: “E vetmja mënyrë për të përcaktuar nëse njerëzit janë refugjatë është përmes një përcaktimi të drejtë dhe efikas të pretendimeve të tyre”.
Laburistët thonë se planet e tyre ndryshojnë në atë që do t’i përpunonte kërkesat më shpejt, në vend që të refuzonte automatikisht të gjitha ato nga vende të caktuara.