MENU
klinika

Analiza

A mund ta sfidojnë rusët Putinin me protesta në rrugë si në Kinë?

05.12.2022 - 17:06

Presidenti rus Vladimir Putin duhet të vuajë jo pak nga pagjumësia mbrëmjeve që kalon në bunkerin e tij. Së pari, në vitet 2020-2021, Bjellorusët dolën në rrugë për të bërë thirrje për liri. Iranianët e ndoqën shembullin në vjeshtën e këtij viti, dhe ende nuk janë dorëzuar pavarësisht një kundërpërgjigje brutale nga regjimi teokratik.

Tani është radha e kinezëve. Fjala nuk është për qytetarët e Hong-Kongut, të cilët njihen mirë si “ngatërrestarë” për regjimin e Pekinit. Jo, këtë herë janë kinezët e pjesës kontinentale të Kinës, të cilët po protestojnë me mijëra në shumë qytete, për të vënë në dyshim qeverisjen e Partisë Komuniste dhe udhëheqësin e saj suprem, Xi Jinping. Kush janë të tjerët në listë? Koreanët e Veriut ? Apo më keq akoma, rusët?

Një sistem autoritar i paqëndrueshëm

Aleatët autoritarë të Vladimir Putinit po përballen me një shkallë të jashtëzakonshme destabiliteti. Kjo nuk supozohej që të ndodhte. Në fund të fundit, lideri suprem i Rusisë e di se sundimi autoritar e mund çdo herë demokracinë.

Atëherë pse po ndodhin këto protesta? Pse këto kërkesa të çuditshme për liri, dhe për shumë gjëra të tjera? Në këndvështrimin e Kremlinit, revolucionet ukrainase të vitit 2004 dhe 2014, ishin padyshim një vepër e “Perëndimit të poshtër” dhe udhëheqësit të tij, Shteteve të Bashkuara.

Por, ndërsa është krejtësisht e mundur që Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA, të “mashtrojë” ata “ukrainasit budallenj”, një popull të cilit i mungon logjika për të kuptuar se vendi i tyre në fakt nuk ekziston, a mund të shtrihet vërtet dora e CIA-s edhe në protestat që po shihet këto kohë në Iran dhe Kinë?

Çfarë e pret botën?

Ajo që e shqetëson më shumë Putinin është mundësia që një rebelim i rusëve në këtë moment kundër tij, mund të jetë po aq i mundshëm sa edhe kryengritjet aktuale në Iran dhe Kinë. Rasti kinez është veçanërisht shqetësues për të.

Në fund të fundit, në dallim nga elitat ruse, komunistët kinezë kanë ofruar një standard të lartë jetese për shumë nga qytetarët e tyre. Po ashtu, ata kanë luajtur jashtëzakonisht mirë edhe kartën e nacionalizmit, duke bindur në dukje një pjesë të madhe të popullsisë, se demokracia nuk ishte as e nevojshme dhe as e dëshirueshme.

Kthesa e mundshme e Rusisë

Tani kinezët “mosmirënjohës” nuk po protestojnë vetëm kundër politikës së Partisë Komuniste ndaj COVID-19. Ata po kërkojnë edhe liri dhe demokraci. Deri dje kinezët dukeshin të begatë, pasivë dhe paqësorë.

Nëse edhe njerëz të tillë mund të jenë aq të pakënaqur sa të rrezikojnë jetën e tyre, duke e sfiduar sundimin me grusht të hekurt të Xi, atëherë pse të mos e bëjnë këtë edhe rusët?

Djemtë dhe burrat rusë po vdesin me mijëra në Ukrainë. Ekonomia ruse po tkurret ndjeshëm, dhe gjithçka që Vladimir Putini dhe miqtë e tij mund t’u thonë qytetarëve për situatën, është se akoma më shumë rusë duhet të dërgohen në frontin e luftës, për t’u sakrifikuar si mish për top.

Rebelimi aktual i qytetarëve ndaj regjimit në Kinës mund të shuhet, ose mund të çojë në një ndryshim. Por lëvizja, së bashku me kryengritjet e ngjashme në Bjellorusi dhe Iran, tregon se regjimet autoritare të botës janë në telashe serioze.

Në të tria rastet, demonstratat u nxitën nga ngjarje të rastësishme, të cilat i zemëruan shumë njerëzit. Radha e Rusisë për t’u rebeluar ndaj Putinit do të vijë me siguri kur disfata e pritshme e ushtrisë ruse në Ukrainë të krijojë shkëndijën që do të ndezë zjarrin e revoltës.

Alexander Motyl, është profesor i shkencave politike në Univesitetin Ratxhers-Njuark. Ai është eskpert për Ukrainën, Rusinë dhe BRSS-në, dhe për nacionalizmin, revolucionet dhe perandoritë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agjenti i shërbimit sekret rus i FSB jep alarmin

“Rusinë e pret lufta civile, terrori dhe kaosi”


Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s