MENU
klinika

Gara për kreun e SPAK

Altin Dumani: Garancia ime që të kem sukses, është bilanci që kam!

16.12.2022 - 13:10

Kandidati në garë për kreun e SPAK, Altin Dumani, ka nisur prezantimin përpara KLP-së të vizionit që ai ofron për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

Në fjalën e tij Dumani tha se garancia që ai ofron për një prokurori të suksesshme është bilanci i tij i arritur në punën si prokuror i SPAK gjatë 3-viteve të fundit.

Ai shtoi se bashkëpunimi, puna në grup, autonomia e institucionit dhe integriteti personal i punonjësve janë ato që do ta bëjnë SPAK-un nëse drejtohet prej tij, një institucion efikas dhe që të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve.

“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme. Të flas për veten, sa herë më është dashur të angazhohem në gara, është pak e vështirë, pasi ne prokurorët jemi pak të kursyer për veten”, tha Dumani.

Gjithashtu ai shtoi se detyrën e prokurorit e sheh si një mision dhe jo si një punë.

“Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim”, shtoi ai.