MENU
klinika

Dumani në krye të SPAK, ja të gjitha reagimet

Ambasadorja Yuri Kim tregon pse shkoi në KLP: Moment me rëndësi, njerëzit kërkojnë ndryshim

17.12.2022 - 13:12

SHBA-ja përmes përfaqësueses së tyre në Tiranë monitoruan dje nga afër procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAKut, Altin Dumani. Yuri Kim shkoi në sallën e KLP-së në momentin që po raportonte prokurori Edvin Kondili.

Ambasada amerikane në Tiranë përgëzoi dje Altin Dumanin për zgjedhjen në krye të SPAK-ut për 3 vitet e ardhshme. Në reagimin e saj, ambasada e SHBA-së shprehet se do të mbështesin Dumanin në krye të SPAK-ut për të çuar përpara Reformën në Drejtësi, dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ambasada e SHBA-së thekson mbështetjen e saj për Dumanin dhe Prokurorinë e Posaçme në luftën e vazhdueshme kundër Korrupsionit, si dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në reagim thuhet se do të ketë mbështetje të vazhdueshme për Dumanin dhe SPAK-un në luftën kundër korrupsionit.

“Ambasada e SHBA-së përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si kryeprokurori i ardhshëm i SPAK-ut. Të tre kandidatët, zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili, janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata”, thuhet në reagim. Ndërkohë, theksohet se SHBA-ja do të përqendrohet në përparimin e Memorandumit të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në luftën kundër korrupsionit duke mbështetur zbatimin e Reformës në Drejtësi në vendin tonë. “Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të SHBA (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e Reformës në Drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim z. Dumani dhe SPAK-un, ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin”, thekson ambasada.

Sipas SHBA-së, është thelbësore që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa favore dhe pa frikë ndaj personave që shkelin ligjin, duke i dhënë fund kështu pandëshkueshmërisë. “Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në Drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA-ja do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës, i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore. Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si kryeprokurori i SPAK-ut. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë”, përfundon reagimi.

Edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, mirëpriti zgjedhjen e Altin Dumanit në krye të SPAK-ut. “Mirëpres zgjedhjen nga KLP-ja të z. Altin Dumani si kryetar i ri i SPAK-ut. Urime! Shpreh vlerësimin tim të lartë për z. Arben Kraja për punën e bërë gjatë tre viteve të fundit. Një SPAK efektiv është thelbësor për suksesin e reformës në drejtësi”, shkruan ambasadorja e BE-së në Tiranë.

Më herët, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, apeloi që kreu i ri i SPAK-ut të zgjidhej në bazë të kritereve që përmbush dhe jo në bazë të kërcënimeve që mund të vijnë nga jashtë. Në përfundim të prezantimit të kandidaturave, Kim tregoi pse zgjodhi që të ndjekë nga afër procesin për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

“E shoh që ka shumë teori konspirative që dua të shpjegoj veten, dua të shpjegoj pse erdha. Ky është një moment i rëndësishëm për reformën dhe SPAK, pse erdha për të thënë që ky është një moment i rëndësishëm, erdha sepse ajo që është e rëndësishme në këtë tranzicion është integriteti i procesit, nuk jam këtu se për këtë duhet të votojnë ose jo, nuk ka asnjë mesazh të fshehur, SHBA është e drejtpërdrejtë me shqiptarët dhe ju e dini këtë, dhe ju e dini që unë vetë nuk jam një person që i bën gjërat e buta, unë them çfarë nënkuptoj dhe nënkuptoj atë që them dhe përfaqësoj politikën e SHBA. Mbetet prioritet i SHBA-së që reforma të mund të zbatohet plotësisht, është bërë shumë përparim dhe shumë njerëz meritojnë meritë për këtë, duke filluar me qeverinë. Merita i shkon dhe opozitës dhe kritikëve që e mbajnë qeverinë të ndershme se kjo është puna e tyre”, tha Kim.

Rama: Thashethemet për kapjen e SPAK nga regjimi i mori era

Kryeministri Edi Rama uroi dje Altin Dumanin për zgjedhjen si kryeprokurori i ardhshëm i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Pas zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale ai uroi Dumanin për postin e ri. Kryeministri ironizoi edhe opozitën, duke thënë se me emërimin e Dumanit në krye të SPAKut merr fund edhe thashethemi që qeveria ka kapur institucionet e drejtësisë.

“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK-ut foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e s’kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era”, tha Rama. Kryeministri Rama u shpreh “urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete”. Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi me 5 vota pro prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të SPAK-ut, i cili zëvendëson në këtë detyrë Arben Krajën. Mandati i Dumanit do të jetë 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje dhe përfundon në vitin 2025.

PD: Përplasja tregoi se Drejtësia s’është e pavarur

Sipas PD-së, përplasja për drejtuesin e SPAK-ut, mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur. PD-ja thekson se SPAK-u po përdoret në mënyrë antiligjore, antikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të Reformës të Drejtësisë.

“Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale. Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK-u është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste. SPAK-u nisi punën para 2 vitesh, duke shpallur moskompetencën për dosjet famëkeqe të blerjes së votave nga qeveritarët e lidhur me krimin ato 184 dhe 339, të cilat më pas ia përcolli Prokurorisë së Dibrës. SPAK-u nuk hetoi krimin zgjedhor, i cili ne 9 vitet e fundit ka përcaktuar strukturën e shtetit”, shprehet PD-ja.

Më herët kreu Berisha, i cilësoi të turpshme deklaratat që shoqëruan procesin e zgjedhjes së drejtuesit të prokurorisë së posaçme. Berisha akuzoi Kryeministrin Rama dhe ambasadoren Kim, se po ndërhyjnë ne një sistem që duhet të jetë i pavarur. “Kurrë në histori nuk mund te gjeni një betejë të turpshme, midis një Kryeministri dhe një ambasadori që në ligj nuk kanë asnjë lidhje me kreun e SPAK-ut”, tha Berisha. Ai akuzoi ambasadoren Kim se po sillet si guvernatore edhe në rastin e zgjedhjes së drejtuesit të SPAK-ut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN