MENU
klinika

Analiza

Amerika nuk ka luksin ta lërë pas dore Ballkanin

17.12.2022 - 10:17

Nga Robert Tyler “The Dispatch”

Angazhimi i Amerikës në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990, mbetet një nga ndërhyrjet e saj më të rëndësishme, si në aspektin e çimentimit të rolit të SHBA-së si superfuqia e vetme globale, po ashtu edhe në shndërrimin Ballkanit Perëndimor në një rajon shtetesh të lira dhe të pavarura.

Por 30 vjet më vonë, situata në rajon është shumë ndryshe. Ballkani Perëndimor është rikthyer në një fushëbetejë të përtërirë në një Luftë të re të Ftohtë. Ngjarjet e viteve 1990 diktuan lindjen një vizioni sipas të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin një ditë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe do ta forconin vendin e tyre në botën e lirë.

Por pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, Shtetet e Bashkuara u distancuan nga politika e jashtme e bazuar në të drejtat e njeriut, e hartuar enkas për të pasur partnerë të besueshëm, në luftën kundër terrorizmit. Në vend se të fokusoheshin në rindërtimin e vendeve të shkatërruara nga Serbia, Shtetet e Bashkuara e zhvendosën fokusin e tyre drejt luftërave në Irak dhe Afganistan.

Ekspertët e politikës së jashtme amerikane menduan se atë rol do të merrte Bashkimi Evropian, gjë që e bëri me dëshirë. Megjithatë, BE-së i mungonin kapaciteti dhe burimet për të mbështetur të gjithë rajonin. Në fillimin e viteve 2000, Bashkimi Evropian po përpiqej të menaxhonte sfidat e zgjerimit të tij me plot 10 shteteve të reja anëtare, kryesisht nga Lindja postkomuniste.

Rrjedhimisht, gjatë 20 viteve të fundit Ballkanit Perëndimor i mungojnë “kumbarët” gjeopolitikë në Perëndim, gjë që e ka penguar zhvillimin e rajonit dhe ka ngadalësuar hyrjen e këtyre kombeve në botën euro-atlantike. Dhe boshllëkun po e mbushin gradualisht kundërshtarët e Perëndimit.

Për më shumë se një dekadë, Kina ka blerë infrastrukturën jetike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, si portet, rrugët dhe hekurudhat, si pjesë e “Nismës së Brezit dhe Rrugës” të Partisë Komuniste. Edhe atje ku kinezët nuk kanë blerë, kanë ndërtuar, shpeshherë përmes  kredive të shtrenjta që e kanë zhytur rajonin në borxhe.

Për shembull, në vitin 2014 Kina i ofroi qeverisë malazeze një hua prej më shumë se 1 miliardë dollarësh për ndërtimin e autostradës së re A-1. Huaja përbënte më shumë se çerekun e borxhit të huaj të këtij vendi. Dhe brenda marrëveshjes së huasë ishte vendosur një klauzolë që e detyronte Malin e Zi t’i dorëzonte një pjesë të territorit Kinës në rastin e pamundësisë për të paguar.

Për shkak të krizës se mos Kina mund të niste të kishte pretendime territoriale mbi tokën, qeveria malazeze u detyrua t’i drejtohej vitin e kaluar BE-së për ndihmë në shlyerjen e kredisë. Në dhjetor 2021, një investigim i portalit “Balkan Insight” zbuloi se Kina po punonte në më shumë se 135 projekte të ndryshme me një vlerë prej mbi 32 miliardë euro. Ai vuri në dukje se Kina po merr nën kontroll jo vetëm infrastrukturën jetike, por edhe burimet natyrore strategjike. U zbulua se kompanitë kineze zotërojnë sasi të mëdha aksionesh në industrinë e metalurgjisë – duke blerë minierat dhe rafineritë – dhe duke e dërguar produktin sërish në Kinë për të nxitur ekonominë në zgjerim.

Sigurisht, Kina nuk është e vetme në përpjekjet e saj për të manipuluar Ballkanin Perëndimor. Një komplot për grusht shteti u parandalua në kohë në Malin e Zi në vitin 2016, në prag të anëtarësimit të këtij vendi në NATO. Autorët u identifikuan si anëtarë të forcave speciale ruse (GRU) dhe ish-zyrtarë të policisë serbe, që synonin të vendosnin në krye një qeveri pro-ruse dhe pro-serbe.

Rusia është pozicionuar si një aleate kyçe e Serbisë, duke mbështetur përpjekjet për të minuar stabilitetin e brendshëm të fqinjëve të saj. Qeveria serbe ka bërë pak përpjekje për të fshehur  mbështetjen e saj për grupet radikale etno-nacionaliste në Bosnje dhe përpjekjet e saj për të delegjitimuar Kosovën. Gjatë gjithë kohës, Rusia i ka ofruar Serbisë armë dhe mbështetje politike.

Së fundi, edhe Irani ka bërë gjithashtu disa përpjekje për të destabilizuar rajonin. Në shtator, qeveria shqiptare e fajësoi këtë vend për një sulm të madh kibernetik ndaj infrastrukturës dixhitale, që goditi llogaritë bankare, serverët e postës elektronike dhe faqet e internetit të qeverisë.

Ky sulm ndodhi në të njëjtën kohë me një shpërthim të ri të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, në të cilin Irani mbështeti qëndrimin e qeverisë serbe. Mosmarrëveshja mbi njohjen e targave, ka shkaktuar prej muajsh tensione mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe asnjëra nga palët nuk është tërhequr nga qasja e saj. Ndërhyrja e Iranit pason politikën e saj për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Në vende si Bosnja, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, midis shumë politikë-bërësve pro-perëndimorë ekziston frika se ndërsa Shtetet e Bashkuara po tërhiqen akoma më shumë nga rajoni, dhe Bashkimi Evropian po vazhdon të fshihet pas fjalëve dhe jo veprimeve, rajoni do të bjerë pre e këtyre ndikimeve të jashtme.

Zyrtarët janë të shqetësuar se ajo që ndodhi në Ukrainë, mund t’u ndodhë së shpejti atyre, dhe kur të ndodhë, Perëndimi nuk do t’u vijë në ndihmë. Sidomos politikanët boshnjakë dhe kosovarë janë shumë të shqetësuar se Serbia mund të inkurajojë grupet e saj minoritare brenda territoreve të tyre për të nxitur kryengritje të armatosura.

Një veprim i tillë do të krijonte për Perëndimin probleme të panumërta. Më së paku një krizë të re emigracioni, plus një konflikt në një kufi tjetër të NATO-s. Po ashtu do të përbënte një kërcënim për linjat energjetike që udhëtojnë nga Lindja e Mesme përmes Ballkanit Perëndimor drejt Evropës.

Disa mund të pyesin se çfarë lidhje ka kjo me Shtetet e Bashkuara. Tek e fundit, për shumicën e amerikanëve, Ballkani Perëndimor është shumë larg. Megjithatë, realiteti është se politikë-bërësit amerikanë nuk mund të jenë aq naivë sa të supozojnë se çfarë ndodh në anën tjetër të botës nuk do t’i ndikojë ata.

Lufta e Ukrainës ka treguar tashmë se Evropa është në një pozitë ekonomike të brishtë, dhe një tjetër front i hapur do ta çonte kontinentin drejt humnerës. Çdo recesion që do të ndodhte në Evropë do të kishte efekte të menjëhershme negative në Shtetet e Bashkuara.

Po kështu, është edhe problemi i ndikimit. SHBA-ja i ka lejuar kundërshtarët e saj të fitojnë shumë terren në rajon. Në Ballkanin Perëndimor, Kina po gjen burime për të ushqyer ekonominë e saj. Rusia gjen mbështetje politike për veprimet e saj armiqësore, ndërsa Irani gjen një fushë të re loje për të përhapur radikalizmin e tij.

Kërcënimi për rajonin është i menjëhershëm. Ndërsa Rusia po sprapset në Ukrainë, ajo do të zbatojë taktika gjithnjë e më të dëshpëruara për të destabilizuar pjesën tjetër të kontinentit evropian. Ajo mund të shfrytëzojë pa problem lidhjet e saj me grupet etnike serbe në Bosnje dhe Kosovë.

Baza për një nxitje të tillë ekziston tashmë në Bosnje Hercegovinë, ku zgjedhjet në fillim të këtij viti nxitën jo pak tensione midis tre grupeve kryesore etnike të vendit. Vlen të përmendet marrëdhënia e brishtë midis Republika Srpska etnikisht serbe dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, dy entitetet që përbëjnë vendin.

Në prag të zgjedhjeve, presidenti i zjarrtë i Republika Srpska, Milorad Dodik, miratoi një vendim në parlamentin rajonal serb për t’u larguar nga institucionet kryesore boshnjake, duke përfshirë autoritetin tatimor, ushtrinë dhe gjyqësorin. Ky veprim u kritikua ashpër, pasi u pa si një shkelje e kushteve të Marrëveshjes së Dejtonit të mbështetur nga Amerika, që dikur garantoi paqen e brishtë dhe marrëveshjen për ndarjes së pushtetit në vend.

Dekada e ndërtimit të paqes nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë mund të zhbëhen lehtësisht, një situatë që do të kishte përmasa të ngjashme me rënien e Afganistanit në gushtin e vitit 2021. Disa kanë akuzuar Amerikën se “po e zë gjumi në timon” kur bëhet fjalë për  angazhimet e saj ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të udhëheqin përmes shembullit, duke mbështetur sistemin e bazuar mbi rregullat ndërkombëtare që ndihmuan paqen dhe zhvillimin në gjysmë  e dytë të shekullit të kaluar, dhe të parandalojnë përmbysjen e tij nga fuqitë përçarëse.

I pëlqen apo jo, Perëndimi është zhytur tani në një Luftë të re të Ftohtë, dhe rajone si Ballkani Perëndimor janë vija e re e frontit. Nëse Amerika synon vërtet që të jetë lidere e botës së lirë, atëherë ajo duhet të vazhdojë që t’i qëndrojë angazhimeve të saj dhe të mbajë të lira vendet si Kosova, Bosnja, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista e Montgomery për VOA

“SHBA gati të bashkëpunojë me BE”