Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga amnistia fiskale pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve. Mesazhin partnerëve ua dha dje nga mbledhja e Këshillit Koordinues të Diasporës, duke i paralajmëruar për formalizmin e të ardhurave të shqiptarëve në emigracion.
Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë sfidoi komunitetin ndërkombëtar që është investuar për të dhënë rekomandimet dhe kritikat lidhur me amnistinë fiskale, duke deklaruar se ajo do të bëhet me çdo kusht, dhe se qeveria sipas tij nuk ka nevojë për mbështetje. “Unë dua t’i siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitanca që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale, me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë dhe kam shumë besim se edhe bashkësia ndërkombëtare edhe sidomos Bashkimi Evropian do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë sepse është e pakuptimtë dhe ta kërkosh që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës, duke shfrytëzuar nga ana e vetë, të drejtën për ta monitoruar këtë proces”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Pavarësisht se përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri, BE-ja, si dhe Dhoma Amerikane kanë dalë kundër nismës për shkak të rreziqeve që sjell, Rama bëri të qartë se do ta bëjë amnistinë fiskale me çdo kusht. “…është një padrejtësi shumë e madhe dhe është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati ne të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton që nuk mund të na paragjykojë si një vend që edhe pse e ka në të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot qartësisht kjo është një masë që mbështetet masivisht nga qytetarët e vendit, nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar me lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të, nuk e di, të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur, por që në fakt ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme”, theksoi Edi Rama. Prerazi ai hodhi poshtë se përmes kësaj nisme do të pastrohen para të drogës, duke ftuar këdo të zhvishet nga paragjykimi, se të gjithë emigrantët shqiptarë janë eksponentë të botës së krimit. Ai theksoi se paratë e krimit nuk janë subjekt i kësaj amnistie.
“Nuk mund të penalizohen 99% e shqiptarëve që kanë punuar dhe jetuar, në 3 lloj punësh dhe që janë abuzuar nga pronarë me pasaportën e vendit ku ata kanë shkuar. Për shkak të atij 1% që as nuk është objekt i kësaj amnistie të kësaj natyre dhe as nuk i përfaqëson kurrsesi të gjithë shqiptarët”, u shpreh Rama. Ky projektligj i qeverisë shqiptare është kundërshtuar fuqishëm nga aleatët kryesorë të Shqipërisë, SHBA-ja dhe BE-ja, Rama këmbëngul të çojë përpara këtë nismë, aq shumë të kritikuar pavarësisht paralajmërimit se mund të rrezikojë dhe rrugën evropiane të Shqipërisë. Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe EuroAzinë, Gabriel Escobar, para nisjes së dialogut strategjik mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare tha se kjo e fundit duhet ta përshtatë sipas kërkesave të BE-së amnistinë fiskale. Ai u shpreh për Zërin e Amerikës se SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me këtë nismë, të cilat i ka diskutuar me qeverinë shqiptare.
Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që qeveria synon të miratojë një amnisti për të legalizuar paratë e shqiptarëve që kanë punuar në të zezë. Në vitin 2020 drafti arriti deri në seancë plenare dhe u tërhoq në momentin e fundit për shkak të kritikave të faktorit ndërkombëtar. Mazhoranca po tenton për të dytën herë të miratojë amnistinë, por sërish Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë pozicionuar kundër. Për më tepër mazhoranca sot gëzon vetëm 77 vota, përkundër 84 votave që kërkon miratimi i amnistisë dhe duket e vështirë që ajo t’i plotësojë numrat e nevojshëm për sa kohë që e gjithë opozita ka dalë kundër.