MENU
klinika

Deklarata e presidentit serb

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, reagon Vuçiç

14.12.2022 - 13:55

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas lajmit të nënshkrimit të Kosovës për të anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit serb ka thënë se “ka kërkuar nga Perëndimi që t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë”.

“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi ardhur te dokumenti i gjashtë shumë i rëndësishëm i BE-së nga viti 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut, për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Dhe në dritën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të Kosovës, pyetja ime është nëse do të respektojnë dokumentet që kanë sjellë vetë, qoftë edhe atë historik nga Selaniku, sepse në pikën 5 të dokumentit të Selanikut, thuhet se mbështet plotësisht zbatimin e Rezolutës 1244. Pra, pyetja ime sot është se cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të pajtohemi absolutisht”, tha Vuçiç.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, njofton Klan Kosova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit Albin Kurti e cilësuan si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.

“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive”, tha ajo, duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.

Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson bllokun evropian.

Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat.
Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.