MENU
klinika

Botërori 2022

Argjentina i falet ruletës së penalltive, kalon në gjysmëfinale

10.12.2022 - 00:00

Argjentina është skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Botërorit, duke mundur me penallti Holandën, në një ndeshje dramatike, teksa 90 minutat përfunduan në barazim 2-2. Një sfidë me emocione deri në fund, por që në fund festojnë Messi me shokë, teksa në gjysmëfinale do të përballen me Kroacinë.

Argjentina e nisi në sulm ndeshjen dhe ishte më kërkuese se Holanda. Pas disa përpjekjeve, ndeshja u zhbllokua në minutën e 34-t. Messi vepron bukur me topin në hyrje të zonës dhe nxjerr përballë portierit me një asist perfekt Molinën, i cili nuk gabon dhe 0-1 për amerikano jugorët.

Pjesa e dytë nis sërish më mirë për albiçelestët, që kishin dy mundësi të mira shënimi. Por goli do të vinte më vonë. Në 72’ Acunha pengohet në limitet e zonës dhe penallti. Nga pika e bardhë këtë herë Messi nuk gabon, duke shënuar golin e 10-të në Kupat e Botës dhe barazuar rekordin e Batistutës tek Argjentina.

Holandezët reagojnë dhe në minutën e 83-të ngushtojnë në 2-1. Pas një krosi në zonë Weghorst devijon me kokë, me portierin argjentinas të pozicionuar keq dhe nuk arrin të ndalë topin në mesin e portës.

Në fund jepen dhjetë minuta shtesë. Dhe në sekondat e fundit Holanda arrin të barazojë. Është sërish Werghost që ndëshkon argjentinasit pas një veprimi shumë të bukur nga një goditje dënimi.

Ndeshja shkon në shtesë, ku në limitet e së dytës Argjentina godet edhe shtyllën, por s’ka gol. Nga penalltitë albiçelestët tregohen më të saktë, duke shënuar 4, kundrejt 3 të holandezëve, me Argjentinën që kalon në katër më të mirat e botës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN