MENU
klinika

Dyshime se atentatori nuk doli nga Tirana

Atentati në Selitë, Policia humb gjurmët e vrasësit të biznesmenit sarandjot

19.12.2022 - 13:25

Kur kanë kaluar më shumë se dy ditë nga vrasja që tronditi Tiranën, Policia ende nuk ka gjurmë të autorëve të krimit.

Edhe pse Policia pretendon se ka mundur të krijojë një identikit të autorit të krimit, i cili ka qenë i vetëm dhe ka vepruar i vetëm, të paktën me aq sa është fiksuar nga kamerat e sigurisë, ende nuk bëhet me dije asnjë e dhënë konkrete për të.

Duke pasur parasysh faktin se Policia i ka humbur menjëherë gjurmët e tij, edhe gërmimet në të shkuarën e viktimës nuk kanë mundur të zbardhin asnjë detaj.

Ditën e djeshme, Policia dhe grupi hetimor kanë tentuar të hedhin sytë nga telefoni i viktimës për të identifikuar personat e fundit që kanë komunikuar me të ditëve të fundit, me shpresën që do të gjendet ndonjë detaj, pikërisht atë që mund të konsiderohej edhe personi që mund ta ketë zbuluar itinerarin e Papës, nga Saranda në Tiranë.

Po ashtu, është kërkuar të hetohet edhe përditshmëria e kohëve të fundit të biznesmenit, e cila ka rezultuar e qetë dhe pa asnjë shqetësim për të pasi lëvizjet e tij kanë qenë të pambrojtura, ashtu siç ishte edhe në momentin e fundit të jetës së vet. Ai la nënën në shtëpinë e të vëllait dhe zbriti te lokali poshtë pallatit, por aty ishte atentatori që e priste me kapuç të zi.

VERIFIKIMI I PERSONIT TË DYSHUAR
Ende Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës nuk kanë një emër si autor të dyshuar për ekzekutimin e 49-vjeçarit Edmond Papa. Burimet kanë bërë të ditur se deri më tani janë kryer verifikimet e kamerave të sigurisë të ndodhura në zonë.

Një prej tyre është edhe e vëllait të viktimës nga ku 49-vjeçari konstatohet se gjatë gjithë ditës ka kryer disa lëvizje me mjetin e tij. Po ashtu, dallohet se persona të ndryshëm në kohë të ndryshme që parkojnë mjetin e tyre para banesës dhe më pas futen në të ku qëndrojnë për disa minuta.

Sipas Policisë, kjo të jep përshtypjen që personat që takohen me Papën janë të afërm të viktimës.

Po ashtu, nga kamerat e sigurisë së lagjes “Fadil Bodinaku” dallohet autori i veshur me pantallona të zeza, triko të zezë, kapele dhe atlete me gomë të bardhë që shpeshherë lëviz në zonë deri në momentin që ai kryen atentatin, ku pak pas mesditës qëlloi me të paktën 7 plumba.

Pas ngjarjes, agresori largohet po nga rruga “Fadil Bodinaku” ku futet mes rrugicave për të dalë në rrugën “Irfan Tomini”. Deri më tani po hetohet në dy pista kryesore të përplasjeve të mundshme në fushën e ndërtimit apo dhe të mundësisë së konflikteve për lëndë narkotike, pretendon Policia dhe Prokuroria.

DËSHMITARËT
Personat e shumtë që janë marrë në pyetje në lidhje me atë moment fatal për jetën e biznesmenit që u vra në Selitë pasditen e së premtes, nuk kanë mundur të japin asnjë të dhënë të vlefshme për hetimin.

Ajo çka ka mundur t’i tregohet saktësisht Policisë ka qenë rruga që ka kryer Papa dhe personat me të cilët është takuar dhe është shoqëruar ditëve të fundit. Policia, edhe pse bëri me dije se viktima kishte qenë i hetuar për trafik droge jashtë Shqipërie, në vendin tonë nuk bëhet me dije që Papa të ishte me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Tashmë, grupi hetimor do të kërkojë ndihmë nga policitë e vendeve në të cilat ka qëndruar dhe operuar biznesmeni, por autori vijon të jetë i lirë, e madje ai ka humbur gjurmët sapo ka kaluar nga pas vendit ku kreu edhe krimin e rëndë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Autori kishte dijeni për lëvizjet e fundit të 49-vjeçarit

Edmond Papa u tradhtua nga të afërmit?