MENU
klinika

Mero Baze

Berisha sillet sikur mezi kishte pritur ta rrihnin!

12.12.2022 - 22:26

Sali Berisha ka folur sot me hollësi për agresionin ndaj tij. Vazhdon ta quajë agresorin, agjent të policisë kriminale, duke hedhur poshtë çdo mundësi që ai të jetë një njeri me probleme mendore. Ngjan aq i bindur që është normal, sa ai agresori më shumë të dhimbset që po e quajmë të çmendur, se sa që e rrahën ata rojet privatë të Berishës (ndoshta nuk ka faj që i duket normal, kur e krahason me ata që e rrethojnë)

Dhe pasi thotë këto, ai lëshon një lumë kërcënimesh vdekjeprurëse për rivalin e vet, pikërisht pse e quan se e ka rrahur ai fizikisht.

Por nuk është shqetësuese pse Berisha akuzon Ramën për rrahje. Ajo që duket më e rëndë në këtë histori, është se ky ngjan sikur ka shpëtuar që e kanë rrahur, se ka gjetur kauzë përse duhet të përmbysë Edi Ramën.

Brenda këtyre dy javëve ai e ka ndërruar vazhdimisht arsyen pse duhet përmbysur Edi Rama. Në fillim e kishte si arsye se po ndërtonte bashkë me Lukashenkon, Portin e Durrësit, pastaj se po e ndërtonte me Lulzim Bashën, më pas se po sillte Bashkimin Evropian në Tiranë për të bërë kontrast me Berishën, kurse tani krye-arsyeja qenka se ka rrahur Sali Berishën.

Po për këtë të fundit ngjan aq i ekzaltuar, sa duket sikur ka gjetur kauzën e jetës nga një i çmendur.

Duket sikur mezi e kishte pritur këtë ngjarje. Dhe kjo ka një shpjegim.

Ky është politikani i vetëm që prej vitit 1991, i cili vetëm ka rrahur kundërshtarë, shumica e të cilëve brenda Partisë Demokratike. E ka nisur me Gramoz Pashkon dhe e ka përfunduar më 8 janar në selinë e SHQUP-it.

E ka bërë këtë me mentalitetin e një shpellari që kujton se rrahja e poshtëron kundërshtarin dhe se “ai nuk duhet të ngrejë më kokë, po ja bëre fytyrën si këpuca”.

Në mendjen e tij primtive rrahjen e ka më të rëndë se vdekja, se mendon se e “korit burrin për së gjalli”. Dhe atë punë ka bërë që nga 1991 e deri më sot.

Fjalimi i tij për rrahjet e kundërshtarëve janë plot lëvdata për rrahësit, dhe gjithmonë me një skenar që viktimat e kanë merituar.

Tani këtë ekzaltimin e rrahjes nga një i çmendur po e përshkruan me një mazokizëm të rrallë, që i buron nga koshienca e tij, se më në fund dhe ai është një i rrahur si gjithë ata që ka rrahur.

Dhe po mburret me këtë gjë, duke mbajtur syze që më ngjallin imazhin e të ndjerit Sinan Tafaj, i cili kishte talentin të shikonte edhe pse qe i verber, ndërsa ky drejton një parti që është gati e gjitha të qorrohet nëse nuk shikon udhëheqësi i saj.

Po kaq i ekzaltuar është dhe kur thotë “më gjeni një fakt që jam i korruptuar”, “më fusni në burg po guxuat” etj. Ka një dëshirë për t’u kompensuar për gjithë rrahjet dhe burgosjet e kundërshtarëve të tij për 32 vjet, pasi mendon se kështu po e shlyen historinë e tij, edhe pse askush nga kundërshtarët nuk e ka rrahur apo burgosur. Madje as kanë denjuar t’i tregojnë plagët që u ka shkaktuar.

Fatos Nano është politikani shqiptar i cili ka provuar një hakmarrje të gjatë dhe të rëndë politike prej tij, duke u mbajtur në burg për katër vite. Sali Berisha, jo vetëm urdhëroi arrestimin, por mbikëqyri për katër vite çdo ditë dhe çdo orë fatin e tij, duke u marrë me çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo roje burgu, dhe çdo bashkëpunëtor apo familjar të tij. Lirimi i tij nga burgu koinçidoi të ishte jo vetëm triumf i tij personal, por dhe triumf politik, pasi erdhi në pushtet dhe masakruesi i tij mbeti në opozitë.

E vetmja herë që Fatos Nano e përmendi burgun me ironi në Kuvend, ishte në një replikë me Sali Berishën, kur me plot cinizëm tha se “ju e dini çfarë më ka bërë mua regjimi i …” dhe kur të gjithë prisnin të thoshte i Berishës, ai tha “regjimi i Ridvan Bodes”.

Natyrisht ishte një deklaratë cinike, që nuk donte t’i jepte Berishës as kënaqësinë e të qenit përdhunues i jetës së tij. Ky është dinjiteti i vërtetë i një intelektuali që e sfidon të keqen, dhe pse ja di adresën.

Siç është poshtërimi i vërtetë i një politikani, kjo që bën Sali Berisha, i cili edhe pse e di të vërtetën e hidhur të agresorit të tij, do të identifikohet me pasojat e saj, pasi kështu mendon se shoqëria do ta mishërojë.

Mëshira është ëndrra e fundit e çdo fajtori.