Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka dërguar në Kuvend një projektligj për mbrojtjen e tokës bujqësore nga zjarret. Në projektligjin e depozituar nga socialisti Braçe, kërkohet kërkon ndalimin e djegies së kashtave, apo mbetjeve të tjera bujqësore, barërave, ferrave apo shkurreve që rrezikojnë përhapjen e zjarreve në toka bujqësore, pyje dhe kullota, gjatë periudhës 1 prill-30 nëntor të çdo viti, atëherë kur edhe nisin temperaturat e larta në vendin tonë. Edhe në këtë periudhë diegia duhet që të bëhet me orar.
“Djegia e tokave bujqësore, vreshtave, pemtoreve, shkurreve e ferrave, referuar pikës 3 të këtij neni, në çdo rast duhet të bëhet duke plotësuar kushtet e mëposhtme: – nisë dhe të përfundojë gjatë orëve të ditës (nga ora 08:00 – 18.00).”
Për periudhën tjetër të vitit, procesi mund të kryhet vetëm me leje nga njësitë qeverisëse vendore dhe shërbimet e mbrojtjes civile, ku detajohet vendi, ora, hapësira dhe aprovimi i pronarëve të tokave të tjera në kufi. Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, ndalohet ndezja e zjarreve në zona që shtrihen brenda territorit të zonave të mbrojtura, zonave turistike, pikave të kalimit kufitar apo zonave kufitare të Republikës së Shqipërisë, në distancë më të afërt se 100 metra nga akset rrugore kombëtare, në distancë më të afërt se 2.000 metra nga sipërfaqet pyjore, plantacionet me drurë të ndryshëm dhe vreshtat.
Në çdo rast ndalohet ndezja e zjarreve:
a) në zona që shtrihen brenda territorit të zonave të mbrojtura, zonave turistike, pikave të kalimit kufitar apo zonave kufitare të Republikës së Shqipërisë;
b) në distancë më të afërt se 100 metra nga akset rrugore kombëtare;
c) në distancë më të afërt se 2000 metra nga sipërfaqet pyjore, plantacionet me drurë të ndryshëm dhe vreshtat;
d) në distancë më të afërt se 2000 metra nga fshati më i afërt dhe së paku 2000 metra larg çdo banese individuale;
dh) në ditët kur era fryn me shpejtësi mbi 20 km/orë, edhe nëse janë marrë lejet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni;
e) në një sipërfaqe më të madhe se 1000 m 2 brenda një dite.
Shkelja e këtyre pikave do të përbëjë kundravajtje administrative. Ndërsa në relacionin e depozituar në Kuvend, Erion Braçe shpjegon se synimi kryesor i kalimi të një ligji të tillë është mbrojtja e tokave dhe jetëve të njerëzve.