MENU
klinika

"Do fshehin milionat përmes amnistisë"

Britanikja “Daily Mail”: Shqipëria do të jetë ‘parajsë e pastrimit të parave’ për kriminelët

24.12.2022 - 13:13

“Shqipëria do të bëhet një ‘parajsë e pastrimit të parave’ për bosët e drogës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas ligjeve që u mundësojnë atyre të fshehin qindra miliona para kriminale në perandoritë e pronave.”

Kështu hapet artikulli i medias britanike “Daily Mail”, për projektin e Amnistisë Fiskale që parashikon të ligjërojë qeveria shqiptare. Referuar shkrimit, thuhet se ajo është “një amnisti fiskale dhe kriminale” sepse do t’i lejojë shqiptarët që shkelin ligjin në Angli, të pastrojnë miliona euro në vendin e tyre.

“Ajo (i referohet amnistisë) vjen pasi një hetim i Daily Mail zbuloi se baronët e drogës që operonin në Britani kanë pastruar shuma të mëdha në vila luksoze, banesa, toka bujqësore, palestra, bare dhe madje edhe një pikë karburanti në Shqipëri”, vijon shkrimi.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) – FBI e Britanisë – ka paralajmëruar se sasia e parave kriminale që largohen nga Britania e Madhe është rritur ‘në mënyrë eksponenciale’ gjatë katër ose pesë viteve të fundit, e nxitur nga bandat shqiptare të drogës që dërgojnë para në shtëpi.

“Një anëtari shqiptar i një bande kokaine që pastronte 10 milionë paund cash, së fundmi i është konfiskuar një vilë, tre apartamente, dy garazhe dhe 20 hektarë tokë në vendlindje. Paratë e pista besohet se kanë nxitur një bum ndërtimesh në Shqipëri, me vlerën e lejeve të ndërtimit të pronave në kryeqytetin Tiranë, duke u rritur nga 112 milionë paund në tremujorin e parë të 2021 në 206 milionë paund në të njëjtën periudhë të këtij viti”, thotë “Daily Mail”.

Bandat e krimit të organizuar dyshohen se kanë përdorur një sërë metodash për të transportuar paratë kriminale përtej kufijve, duke përfshirë përdorimin e agjencive të udhëtimit, fshehjen në pjesën e pasme të televizorëve ose rrotave të kamionëve.

Një çift i martuar me një foshnjë nëntë muajshe është përpjekur të kontrabandojë 100,000 paund para kokaine përmes tunelit të Kanalit, vijon artikulli. Paratë e gatshme u gjetën të fshehura nën kroskotin e Audi të shqiptarit Vladimir Cahani në kufirin në Folkestone. Cahani u dënua me katër vjet burg në shtator 2016.