MENU
klinika

"Dy qeveritë duhet të bëjnë më shumë për emigrantët e paligjshëm!"

Debati për shqiptarët/ Zbardhet biseda e Ramës me Sunak

01.12.2022 - 19:56

Pas debatit të ‘ndezur’ për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një komunikim telefonik me homologun e tij britanik Rishi Sunak.

Të dy liderët vlerësuan marrëdhënien e ngushtë afatgjatë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe u angazhuan për të forcuar bashkëpunimin sa i takon tregtisë, investimeve dhe mbrojtjes, përfshirë edhe sigurinë kibernetike.

Kryeministri Sunak pranoi kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në shoqërinë britanike, por të dy udhëheqësit pranuan se më shumë duhet bërë për të adresuar emigracionin e paligjshëm dhe për të sfiduar krimin e organizuar.

Ata diskutuan mbi planet për të shtuar bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta duke përfshirë edhe mbylljen e boshllëqëve që po ndalojnë kthimin e shpejtë të azil-kërkuesve të refuzuar.

Kryeministri Rishi Sunak dhe Kryeministri Edi Rama mirëpresin të punojnë së bashku për t’i trajtuar këto çështje dhe të thellojnë marrëdhënien gjithëpërfshirëse mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Biseda telefonike, vjen pas deklaratës së ashpër të sekretares së Brendshme Britanike Suella Braverman, e cila i cilësoi shqiptarët që shkojnë drejt Britanisë me gomone, si kriminelë dhe pushtues.

Kjo ka nxitur reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku kërkuan që Braverman t’u kërkonte ndjesë.

Britania po tenton të ndjekë një politikë të re për azilkërkuesit, duke krijuar një listë të bardhë për vendet të cilat konsiderohen të sigurta, në këtë formë kërkesat e azilkërkuesve konsiderohen të pabaza.

Tema e shqiptarëve në Britani të Madhe është tepër e lakuar duke kujtuar këtu debatin që ka përfshirë vendin mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të ‘La Manshit’.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zbardhet propozimi i kryeministrit shqiptar

Emigrantët e gomoneve, Rishi Sunak telefonatë me Ramën?