Në Veri të Kosovës ka sërish tensione. REL shkruan se janë bllokuar rrugët në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq. Po ashtu, në Mitrovicën e Veriut dhe në Rudarë janë dëgjuar sirenat. Në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë.
Qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen në Rudarë. Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra. Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.
Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë. Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviç, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.