MENU
klinika

“Të paligjshmit do të dëbohen në Ruanda"

Del vendimi për emigrantët në Angli! Zërat pro dhe kundër

20.12.2022 - 11:21

Gjykata e Lartë e Britanisë së Madhe e ka shpallur të ligjshëm sot, një plan të qeverisë për t’i dëbuar azilkërkuesit në shtetin afrikan të Ruandës.

Kreu i drejtësisë, Lewis tha se kjo masë e debatueshme që ishte prezantuar gjatë qeverisjes së Boris Johnson, ishte “në përputhje me konventën e refugjatëve”, njofton “Sky News”.

Megjithatë, ai tha se Ministrja e Brendshme duhet të shikojë “rrethanat e veçanta” të njerëzve përpara se t’i dëbojë ata për në këtë shtet të Afrikës Qendrore. Gjyqtari i lartë vendosi se për personat e parë që ishin caktuar që të dërgoheshin në Ruandë nuk ishin marrë parasysh rrethanat e tyre “si duhet” nga ministrja në atë kohë në post, Priti Patel. Dhe si rezultat, rastet e tyre do t’i referoheshin ministres së Brendshme aktuale, Suella Braverman, “që ajo t’i shqyrtonte përsëri”.

VENDIMI
Në një përmbledhje të vendimit të tij të hënën, Lordi i Drejtësisë, Lewis tha: “Gjykata ka arritur në përfundimin se është e ligjshme që qeveria të marrë masa për zhvendosjen e azilkërkuesve në Ruandë dhe që kërkesat e tyre për azil të përcaktohen në Ruandë dhe jo në Mbretërinë e Bashkuar. “Në bazë të provave përpara kësaj gjykate, qeveria ka bërë marrëveshje me qeverinë e Ruandës, të cilat synojnë të sigurojnë që kërkesat për azil të njerëzve të zhvendosur në Ruandë të përcaktohen siç duhet në Ruandë”. Megjithatë, ai shtoi: “Ministrja e Brendshme duhet të marrë parasysh siç duhet rrethanat e secilit pretendues individual. Ministrja e Brendshme duhet të vendosë nëse ka ndonjë gjë në lidhje me rrethanat e veçanta të secilit person që do të thotë se kërkesa e tij për azil duhet të përcaktohet në Mbretërinë e Bashkuar ose nëse ka arsye të tjera pse ai nuk duhet të zhvendoset në Ruandë. “Ministrja e Brendshme nuk i ka shqyrtuar siç duhet rrethanat e tetë pretenduesve individualë, rastet e të cilëve ne i kemi shqyrtuar. Për këtë arsye, vendimet në ato raste do të anulohen dhe rastet e tyre do t’i referohen Ministres së Brendshme që t’i shqyrtojë përsëri”.

DERGIMI NE SHTETIN AFRIKAN
Qeveria britanike njoftoi për këtë plan të ri për në Ruanda në prill, e cila do të bënte që disa azilkërkues që kishin hyrë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kalimeve të Kanalit me gomone të dërgoheshin atje për t’u shqyrtuar kërkesat e tyre. Më shumë se 44,000 njerëz kanë shkuar në Britani me këtë rrugë këtë vit dhe disa kanë vdekur, përfshirë katër javën e kaluar kur një gomone u përmbys në mot të acartë. Sipas marrëveshjes, Mbretëria e Bashkuar planifikon të dërgojë një numër emigrantësh që mbërrijnë në Britaninë e Madhe në rrugë të paligjshme apo me barka, për në këtë shtet të Afrikës Lindore dhe atje të përpunohen kërkesat e tyre për azil. Aplikantëve, të cilëve iu pranohet azili, do të duhet të qëndrojnë në Ruandë në vend që të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.

Britania i ka paguar Ruandës 146 milionë dollarë sipas marrëveshjes së arritur në prill, por askush nuk është dërguar ende në atë vend.
Britania e Madhe u detyrua të anulonte avionin e parë me të dëbuar në minutën e fundit në qershor, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se plani përmbante “një rrezik real të dëmtimit të pakthyeshëm”. Qeveria britanike është e vendosur të vazhdojë me këtë politikë, duke argumentuar se ajo do të pengojë bandat e trafikimit të njerëzve që të transportojnë emigrantët në udhëtime të rrezikshme nëpër rrugët e rrezikshme ujore të Kanalit.

Përplasja mes autoriteteve
Ministrja e Brendshme Suella Braverman, e cila i ka quajtur kalimet në Kanal një “pushtim të bregdetit tonë jugor”, tha për “Times of London” se do të ishte “e pafalshme” nëse qeveria nuk do t’i ndalonte udhëtimet. “Votimi i Brexit-it ishte pjesërisht për emigrimin, kontrollin mbi kufijtë tanë dhe riatdhesimin e sovranitetit mbi çështjen se kush vjen në vendin tonë”, tha ajo. “Ky është një shembull i jashtëzakonshëm se si ne nuk e kemi marrë përsëri kontrollin”. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se është e paligjshme dhe çnjerëzore të dërgohen njerëz mijëra kilometra në një vend ku nuk duan të jetojnë. Ata citojnë gjithashtu të dhënat e dobëta të të drejtave të njeriut në Ruandë, përfshirë akuzat për tortura dhe vrasje të kundërshtarëve të qeverisë. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka argumentuar se ndërsa Ruanda ishte vendi i një gjenocidi që vrau më shumë se 800,000 njerëz në 1994, ky shtet e ka ngritur reputacionin për stabilitet dhe përparim ekonomik. Kritikët thonë se stabiliteti vjen me çmimin e represionit politik.

Qeveria britanike dëshiron t’i dëbojë të gjithë emigrantët që mbërrijnë në rrugë të paautorizuara dhe synon të arrijë marrëveshje të stilit të Ruandës me shtete të tjera. Kritikët theksojnë se ka pak rrugë të ligjshme për të kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, përveç atyre të krijuara për njerëzit nga Ukraina, Afganistani dhe Hong Kongu. Një rritje e të ardhurve dhe një numër i madh kërkesash të grumbulluara në mënyrë burokratike në Mbretërinë e Bashkuar, situatë e përkeqësuar kjo edhe nga pandemia e koronavirusit, ka bërë që shumë emigrantë të Kanalit të lëngojnë në qendrat e mbipopulluara të përpunimit të tyre, kampe ku ka pasur shpërthime të difterisë dhe sëmundjeve të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Trafikantët kanë ulur çmimin drejt Anglisë”

Deputetët anglezë: Shqiptarët që vijnë me gomone çojini në Ruanda