Sali Berisha ka bërë sot një përpjekje të dëshpëruar për ta mbyllur këtë vit me një certifikatë fals bashkimi të PD. Duke shfrytëzuar një ftesë të deputetit Mziu, për deputetë të të dy palëve të PD, ai është shfaqur në tavolinën e përbashkët të deputetëve dhe madje u ka mbajtur dhe një fjalim, duke e postuar atë si “një fillim i ri”.
Makthi me të cilën ai po përpiqet të maskojë dështimin e tij politik gjatë këtij viti, duke nisur nga beteja me shtiza e tumpanë e 8 janarit, e deri tek dreka në Laknas, tregon se ai vuan pikërisht faktin që nuk e pranojnë më si lider të tyre.
Ai është gati t’i gëlltisë të gjitha. Është gati të mos u thotë më pengje të Edi Ramës, të mos u thotë më “besëprerë” apo të shitur, mjafton që ata të pranojnë atë për kryetar.
Në kulturën e tij politike, fyerjet dhe sharjet ndaj kundërshtarëve, janë gjithmonë të arsyetuara politikisht dhe nuk quhen nëse ndryshon qëndrim. Dhe këtë e ka dhe me kundërshtarët e “Foltores”. Me këtë logjikë, ai po përpiqet të trajtojë gjithë grupin parlamentar që e refuzon.
Ai ua ka fal të gjitha, shkopinjtë më 8 janar, gazin lotësjellës, fyerjet e sharjet më 6 mars, disa mitingje që ishin më shumë kundër Bashës se sa kundër Ramës, dhe gjithë fjalorin e tij agresiv.
Ai që bën sikur ka bërë zgjedhje, sikur ka bërë primare, sikur ka rritur PD, sikur ka bërë aleancë me Metën, sikur e ka të sigurtë që do fitojë, në fakt është një zaptues i dëshpëruar që shkon ilegalisht në një drekë në Laknas, që të shfaqet duke u mbajtur fjalim të dy palëve.
Është dëshpërimi që buron nga të kuptuarit e qartë të mos pranimit nga pala tjetër dhe ndarjes përfundimtare. Dhe akoma më keq, është dëshpërimi që vjen nga fakti se PD nuk është ndarë për shkak të Bashës, Alibeajt, Gaz Bardhit apo Flamur Nokës e Albanës.
PD është ndarë për shkak të tij.
Nëse ai ikën, nëse ai shkon në shtëpi, PD është automatikisht e bashkuar. Është aq e thjeshtë dhe aq afër bashkimit, sa ai dëshpërohet dhe më shumë kur e kupton që i vetmi që e mban PD të ndarë, është ai.
Nuk i pi më ujë as “Fillimi i ri”, as rithemelimi, as agresiviteti, as servilizmi. E vetmja gjë që bën punë është ikja e tij. Dhe kjo ja ka çuar dëm gjithë betejën e tij, gjithë përpjekjen për ta zaptuar, madje i ka çuar dëm dhe grushtin nga një i çmendur në fytyrë.
Përpjekja e tij sot në Laknas për t’u dukur “i dhjerë por krenar”, në një tavolinë ku gjysma nuk i fliste me gojë, është bilanci një vjeçar i betejës së tij për të zaptuar PD.
Pa llogaritur faturuen, që e paguan Xhelali.