MENU
klinika

Nga stërvitja e forcave RENEA te vilat qeveritare

Detaje të tjera nga rrugëtimi i spiunëve-blogerë në Shqipëri

21.12.2022 - 11:33

Ndërkohë që autoritetet ruse kërkojnë ekstradimin e një prej të rinjve të arrestuar në Shqipëri, të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me aktivitetin e tyre në vendin tonë.

Dy rusët Mihhail Zorin e Zvetlana Timofevva, si dhe ukrainasi Fedis Alpatov, u arrestuan në fund të muajit gusht në zonën e Gramshit, teksa fotografuan dhe hynë pa lejë në uzinë e armëve të Gramshit, akuzohen se sulmuan dy ushtarë shqiptarë.

Sipas “News 24”, këtyre shtetasve iu janë gjetur pamje filmike të marra përmes dronit apo dhe telefonave.

Mësohet se ditët e fundit të udhëtimit të tyre në Shqipëri, tre të rinjtë kanë filmuar dhe dy objekte të rëndësisë së veçantë, si reparti RENEA, pamje që u gjetën në aparatet fotografike. Ajo çka mbetet e paqartë është se si këta 3 shtetas kanë ngritur dronin mbi një repart special, të rëndësisë së veçantë dhe nga ana tjetër ky mjet fluturimi nuk është pikasur. Po ashtu, Lala raporton se është duke u hetuar nëse turistët kanë pasur në fokus të filmimeve të tyre ndonjë efektiv të RENEA-s, apo programet e tyre stërvitore.

Ndër të tjera, janë filmuar dhe vilat e qeveritarëve në zonën e Dajtit. Sipas hetimeve të deritanishme, është konstatuar se tre të rinjtë për minuta të tëra kanë filmuar çdo detaj nga vilat qeveritare, përmes droneve. Ky është hetim i vështirë, ndërsa vijon ende dokumentimi i ngjarjes.

SI U KAPËN
Një makinë luksoze tip “Chevrolet” me tre shtetas të huaj mbërrin në fshatin Çekin të Gramshit. Banorët habiten nga prania e këtij mjeti luksoz në fshatin e tyre dhe nga kurioziteti nisin ta fotografojnë dhe të sillen në mënyrë miqësore me tre të huajt që dukeshin si vizitorë.

Deri këtu, duket një fabul e bukur dhe argëtuese për disa turistë që po vizitonin një vend të panjohur për ta, por pasditja e 20 gushtit tregoi se e vërteta rezultoi se ishte krejt ndryshe. Që prej atëherë, ata u arrestuan dhe qëndrojnë në qelitë e paraburgimit. Prokuroria e Elbasanit këmbëngul që tre të rinjtë kanë ardhur për qëllime spiunazhi në Shqipëri. Në dokumentin zyrtar të Prokurorisë së Elbasanit, tregohet edhe kronologjia e ngjarjes pasditen e së shtunës së shkuar.

“Nga aktet e këtij procedimi rezulton se më datë 20.08.2022, rreth orës 17:35, nga ana e punonjësve të shërbimit, rojeve ushtarake të uzinës mekanike ushtarake Çekin, është njoftuar salla operative se në ambientet e rrethimit të brendshëm të këtij objekti është futur një shtetas i huaj, i cili pasi është konstatuar nga roja e shërbimit, është larguar nga magazinat duke kaluar muret rrethuese të uzinës. Ky shtetas është ndjekur nga dy rojet e uzinës dhe në një distancë rreth 200 metra, larg objektit, në momentin që ata janë ofruar për ta ndaluar dhe shoqëruar këtë shtetasi, ai ka bërë rezistencë dhe ka nxjerrë një spraj, duke ua hedhur në fytyrë dhe në trup, me qëllim që të largohej nga ata.

Me gjithë këto veprime, rojet kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe e kanë mbajtur të bllokuar deri në momentin kur kanë ardhur shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh”, thuhet në dosje. Përveç tre të arrestuarve, në pyetje janë marrë edhe pesë persona të tjerë përfshirë dy rojet e uzinës së demontimit të armëve në Gramsh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkesa mbërrin në Prokurorinë e Elbasanit

Moska kërkon ekstradimin e ruses së arrestuar në Gramsh!