MENU
klinika

Mero Baze

Dhunimi i Sali Berishës dhe përdhunimi i drejtësisë

07.12.2022 - 20:37

Nga Mero Baze

Dhunimi i Sali Berishës në një aktivitet publik si politikan, i cili duhet të përdorej si një rast për ndëshkimin e kulturës së dhunës në politikë, po përdoret gjerësisht nga mbështetësit e Berishës, si një rast për të forcuar kultin e dhunës në politikë.

Edhe pse agresori, qartazi me probleme mendore, është tani në duart e drejtësisë dhe mund të hetohet e dënohet për gjithçka, të vetmit që refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë janë vet Sali Berisha dhe mbështetësit e tij.

Në vend të bashkëpunimit me drejtësinë dhe ndëshkimin e thellë të kulturës së dhunës, ata po demonstrojnë vetëgjyqësi dhe forcim të kultit të dhunës në politikë.

Sali Berisha po përpiqet të imitojë Sali Berishën e vitit 1997, kur refuzonte komisionet hetimore parlamentare apo ngjarjet që pasuan vrasjen e Azem Hajdarit, kur ai ishte duke dhënë shpirt dhe ky i rrinte me diktofon tek koka t’i merrte dëshmi, duke refuzuar më pas të jepte dëshminë e tij në prokurori.

Qëllimi i tij ishte që ndëshkimi të mos vinte nga drejtësia, pasi sipas tij “drejtësia ishte në duart e Fatos Nanos që kishte vrarë Azem Hajdarin”, por duhet të vinte nga hakmarrja, shpagimi dhe kthimi me të njëjtën monedhë ndaj kundërshtarëve.

Disa vite më vonë, i interesonte të ishte mik me Fatos Nanon dhe e ftoi dhe në festën e PD bashkë me Xhoanën, duke harruar që e kishte shpallur vrasës dhe që nuk kishte bashkëpunuar me drejtësinë.

Të njëjtat sjellje po demonstron dhe tani. Në vend që ti hapi rrugë drejtësisë të hetojë në detaje ngjarjen dhe të përdorë këtë rast për t’i dhënë fund trashëgimisë së tij si frymëzues i dhunës politike, po e përdor këtë rast për të ringjallur dhunën politike, si mjet politik në këtë vend.

Nëse dikur kërcënonte në Parlament deputetët kundërshtarë se “do t’ua bënte fytyrën të zezë si këpuca”, tani predikon hakmarrje, duke caktuar target Kryeministrinë dhe Qeverinë, njësoj si Fatos Nanon në vitin 1998.

Shpresoj mos t’i dalë koha në politikë të bëhet vëlla me Edi Ramën e ta ftojë nëpër festa, por përpjekja për të bërë si i fortë pas kësaj që i ndodhi, mund t’i shpëtojë fytyrën para disa trushplarëve, por e nxinë atë dhe më shumë para shqiptarëve.

Më shëmtuar se kudo kjo u shfaq dje, pasi agresori sulmoi Berishën. Gazetarët raportojnë se ka pasur tentativa për ta therur me thikë, por ende më e shëmtuar ishte pamja kur njerëzit e afërt të Berishës e rrëmbyen zvarrë dhe e çonin drejt zyrave të PD, për ta hetuar dhe marrë në pyetje, sikur ishin celulë e ISIS.

Edhe më e shëmtuar ishte që ky operacion drejtohej nga ish- policë, që më së paku e dinë që një agresor çarmatoset dhe i dorëzohet policies, dhe jo vetëgjyqësisë.

Pretendimi për të pasur gjykatë paralele me gjykatat shqiptare, të cilat nuk dënojnë por “ndëshkojnë armiqtë me dhunë”, është tipari i parë më i shëmtuar i përpjekjes për të mbajtur gjallë dhunën politike.

Pretendimi për të pasur polici paralele me Policinë e Shtetit shqiptar, që të rrëmben, të merr në pyetje, të heton dhe pastaj shpërndan pista krimi, është dhe më e rënd dhe dëshmon se Sali Berisha dhe mbështetësit  e tij, dhunën politike e shikojnë si institucion që i përket atyre për ta ushtruar.

Kur janë në pushtet e ushtrojnë në emër të pushtetit. Dhe këtë e kanë demonstruar më 1996, 1997, dhe sidomos më 21 Janar 2011, kur për të shmangur drejtësinë ndaj tij që vrau katër demonstrues, ngriti një institucion paralel hetimi, një Komision Hetimor qesharak, që shantazhonte kryeprokuroren dhe presidentin e Republikës dhe që përmes dy mjekëve ushtarë të partisë, tentoi të krijonte pistë të rremë të krimit.

Tani që janë në opozitë e ushtrojnë përmes shtetit paralel, “gjykatave” paralele në seli të PD, policisë paralele që rrëmbejnë persona, dhe mbi të gjitha me fakte të shpikura alternative, që të minojnë të vërtetën.

Agresori i Sali Berishës po hetohet, do gjykohet dhe natyrisht do të dënohet, edhe pa dëshminë e Sali Berishës. Do të ndëshkohet se duhet ndëshkuar kultura e dhunës politike.

Por po me kaq seriozitet duhet ndëshkuar dhe i duhet prerë rruga “universit paralel” të Sali Berishës, që njeh për drejtësi vetëm drejtësinë e tij, njeh për polici vetëm policinë e tij dhe mbi të gjitha, njeh për legjitime dhunën e tij mbi çdo kundërshtar, çdo kritik të tij, dhe madje mbi çdo institucion shtetëror.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale”

Berisha pasi u godit me grusht: Gjithçka e përgatitur