Enkeleid Dobi nuk është më trajner i Kukësit pas disfatës me Teutën në shtëpi në javën e 13-të të Superiores. Pas sfidës ai u shpreh se ka dhënë dorëheqjen pasi nuk arriti të merrte rezultatet që priste.
“Çfarë nuk shkoi? Rezultatet. Mendoj që kultura e edukata nuk më lejon të vazhdoj diçka që nuk jep efekte. I falënderoj nga zemra që më dhanë një mundësi, shpresoj të kthehet në rrugën e duhur dhe vendin e duhur.
Ndaj unë sot i bëra të qartë ekipit që jap dorëheqjen për të mirën e klubit. Për të komentuar ndeshjen janë fjalë boshe që nuk kanë vlerë. Shpresoj që sado pak efektet e punës time ti japin ndihmesë klubit që nuk e meriton atë vend.
Është e vendosur, nuk ka tani as kthim mbrapa, nuk ka këtu. E shoh që është momenti që për hir të klubit e ekipit që ndoshta të marrë disa sinjale të tjera se kanë mbetur edhe 23 ndeshje. Është momenti i duhur, duhet menduar gjithmonë për të mirën e ekipit dhe klubit. Unë jam një person, klubi është shumë i madh, janë shumë persona, është një qytet”, u shpreh Dobi për “Oversport”.
Pas largimit të trajnerit Enkeleid Dobi, Kukësi do t’i besojë stolin ish-kapitenit kampion, Rrahman Hallaçi. Ish-mbrojtësi e njeh mirë skuadrën, pasi prej kohësh drejton edhe Kukësin U-21.
Ai ka drejtuar disa herë skuadrën e Kukësit si trajner emergjence në momentet e ndërrimit të teknikëve në pankinën e verilindorëve por duket se klubi tani është gati t’i besojë atij plotësisht drejtimin e skuadrës.