Opera “Don Pasquale” e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, rikthehet në TKOB pas 64 vjetësh.
“Teatri i Operës do të sjellë premierën e “Don Pasquale-s” të rikonceptuar në dimensione të reja regjisoriale”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të TKOB.
Opera e Donizetti-t do të vijë në datat 15, 16, 17, 18 dhjetor.
Libreti i Giovanni Ruffini-t dhe vetë kompozitorit, rrëfen me tone komike, historinë e Don Pasquale-s një beqar i vjetër, i pasur dhe koprrac, që dëshiron të martojë nipin e tij Erneston me një grua të pasur. Por Ernesto është i dashuruar me Norinën e varfër. Don Pasquale nuk e ka parë kurrë Norinën e megjithatë ai e kundërshton martesën dhe e dëbon Erneston nga shtëpia e tij.
Opera “Don Pasquale” për herë të parë u vu në skenë në 11 korrik të vitit 1959, me regji të M.G Gevorkian, dirigjent Simon Gjoni dhe piktor Shadan Toptani.
Interpretuesit në rolet kryesorë ishin solistët e njohur: Haxhi Tafaj, Hysen Pelinku, Avni Mula, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Maliq Herri, Zini Berati, Andromaqi Haderi, Hamide Stringa, Luiza Papa, Shaban Kapllani, Lefter Besho.
Kësaj here do të interpretojnë Xhieldo Hyseni, Bledar Domi, Artur Vera, Solen Alla, Christian Collia, Gerald Murrja, Nina Muho, Renisa Laçka, Dorina Selimaj, Erlind Zeraliu. Dirigjent do të jetë Simon Krecic dhe regjisor Mariano Bauduin.