MENU
klinika

Botërori 2022

Dramë në finale, Argjentina kampione bote!

18.12.2022 - 20:45

Për herë të tretë në histori, Argjentina shpallet kampion bote, ndërsa për herë të parë në karrierë Leo Messi prek majën e botës, rrëmben të vetmin trofe që i mungonte në CV e tij mbresëlënëse, Kupën e Botës.

Messi bëhet i “pavdekshëm”, duke ndezur edhe më shumë diskutimin, nëse është lojtari më i mirë i të gjithë kohërave, në shifra dhe trofe është thjesht i paarritshëm. “Pleshti” bën edhe një herë liderin për Argjentinën e tij, i udhëhoqi në këtë betejë finale.

Argjentina iu fal ruletës së penalltive pas një finaleje dramatike, teksa sfida përfundoi 3-3 pas 120 minutave lojë, ndërsa 90 minutat e mbyllën në 2-2.

Në minutën e 23-të, Dembele shkaktoi faull ndaj Di Maria-s, me gjyqtarin e takimit që nuk hezitoi duke akorduar një 11-metësh në favor të Argjentinës, i 5-të për amerikano latinët këtë Botëror. Nga pika e bardhë, Messi ishte perfekt duke kaluar Argjentinën në avantazh.

Të shokuar, Franca e kishte të vështirë të dilte përpara, në minutën e 35-të, Argjentina i kapi sërish mat, me Di Maria-n që finalizoi me gol një kundërsulm perfekt. Deschamps nuk priti fundin e pjesës së parë, por ndërhyri menjëherë në formacion duke zëvendësuar Giroud dhe Dembele, në vendin e dytë Thuram dhe Kolo Muani.

Historia nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë, Franca e ka të vështirë të dal në sulm, shumë konfuze, ndërsa Argjentina e priti me qetësi duke shfrytëzuar kundërsulmet e shpejta me Alvarez dhe Di Maria, por edhe De Paul e të tjerë. Por në minutën e 79’ Otamendi ndalon Kolo Muanin në mënyrë të parregullt në hyrje të zonës dhe gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë. Mbappe dhe gjuan dhe ngushton në 2-1

Franca merr zemër dhe një minutë më pas shënon edhe golin e dytë. Pasim shumë i mirë i Thuram dhe Mbappe nuk fal me një gjuajtje të kalibruar, duke barazuar shifrat në 2-2. Franca nuk ndalet dhe kërkon golin e tretë, kërkon edhe penallti, por gjyqtari e quan simulim.

Në fund një supergjuajtje e Messit, por po kaq bukur pret edhe portieri Lloris. Sidoqoftë, nuk ka më gola për 90 minuta dhe ndeshja shkon në shtesë. Në fundin e shtesës Lautaro Martinez pati dy mundësi të arta për të shënuar, por nuk ia del dot.

Gjithsesi, goli do të vinte në fillimin e shtesës së dytë, Messi pason për Martinez, gjuan fort, pret Lloris, topi mbetet aty dhe Messi shtyn në portë. Drama e kësaj finale vijoi edhe më pas.

3 minuta nga fundi ka penallti sërish për Francën, nga pika e bardhë Mbappe nuk fal sërish, rezultati barazohet 3-3. Goli i tetë për sulmuesin francez, që merr “Këpucën e Artë”. Kolo Muani pati shansin e artë në sekondat e fundit, por pret portieri argjentinas. Ndeshja shkon te penalltitë.

Nga pika e bardhë Argjentina është më e saktë teksa shënon 4 her, ndërsa francezët humbasin dy, me Coman dhe Tchouameni. Me portierin amerikano-jugor hero. Argjentina feston në fund, Franca në lot.