Viti që lamë pas është përpjekja e parë institucionale për krijimin e një fronti anti-perëndimor në Shqipëri, në emër të opozitës shqiptare prej Sali Berishës, ndihmuar nga partneri i tij Ilir Meta.
Në daljen e tij publike sot në fund të vitit, Sali Berisha akuzoi diplomatët amerikanë dhe ata britanikë, si diplomatë të korruptuar, të cilët sipas tij, janë korruptuar nga qeveria shqiptare për të sanksionuar Sali Berishën. Madje në stilin e tij 30- vjeçar si shantazhues, ai foli dhe për “dosje” që ai zotëron, për të provuar këto fakte.
Po përse nuk ka perspektivë fronti anti-perëndimor i Berishës në Shqipëri?
E para dhe e fundit arsye për krijimin e këtij fronti, është Sali Berisha dhe problemet e tij personale me Perëndimin.
Partia Demokratike nuk ka probleme me Perëndimin, pasi është partia e parë pro-perëndimore e Shqipërisë. Ajo është ngjizur si parti e njerëzve që kanë pritur ardhjen e Perëndimit në Shqipëri dhe të vetmin konflikt me Perëndimin po ua imponon Sali Berisha, si hall të familjes së vet.
Natyrisht ka plot trushpëlarë që besojnë teoritë konspirative të Sali Berishës brenda tyre, por dhe vet Sali Berisha nuk ka mundur dot të ndërtojë një teori konspirative më të gjerë se sa halli i vet familjar.
Ai as është munduar të thotë fjala vjen që SHBA apo Britania e Madhe dhe ambasadorët e Perëndimit, urrejnë Partinë Demokratike. E ka përqendruar gjithë betejën e tyre tek vetja e vet. Dhe kjo është e vërtetë.
Perëndimi e ka me Sali Berishën E ka dënuar atë si një politikan që duhet izoluar dhe gjykuar për korrupsion. E ka konsideruar minues të demokracisë në Shqipëri dhe të lidhur me qarqe kriminale në Shqipëri dhe më gjerë në rajon.
Ndaj përpjekja për të ngritur një front kundër Perëndimit nga Sali Berisha përfundon me ikjen e Sali Berishës në shtëpi apo në bankën e drejtësisë.
Bashkë me të ikin dhe arsyet përse opozita duhet të jetë anti-perëndimore.
Drejtësia shqiptare nuk ka vepruar dhe ka gjasa që ende të hezitojë të veprojë ndaj Sali Berishës. Është e qartë që gjyqtarë dhe prokurë shqiptarë janë të kompleksuar nga shantazhet e tij dhe gjuha agresive. Ata ndeshen përditë me fakte publike, me shantazhe të tij ndaj drejtësisë apo diplomatëve ndërkombëtarë dhe nuk reagojnë.
Do të mjaftonte fjala vjen deklarata e sotme ku ai thoshte se “kam dosje korrupsioni për ambasadorin britanik dhe kryeministrin Rama”, që SPAK të niste procedim penal për këtë aferë dhe të çonte para drejtësisë ose shpikësin e dosjes, ose personazhet e dosjes.
Por nuk e bëjnë. Nuk bëjnë dot asnjë gjyq për bashkëpunëtorë të tij. Mënyra si ai ka konsoliduar pandëshkueshmërinë për 30 vite, vazhdon të mbijetojë edhe me ndryshimet e reja brenda sistemit të drejtësisë.
SHBA dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për hetimin e tij bazuar në faktet që ekzistojnë dhe janë publike dhe në Shqipëri, por kjo nuk ka ndodhur. Madje ka dhe deklarata shfajësuese dhe lojëra procedurale për ta shpëtuar nga hetimi.
Mosveprim i drejtësisë është i vetmi mekanizëm që mban në këmbë frontin anti-perëndimor në Shqipëri. Ky është një ë front pa baza politike, pa mbështetje popullore dhe mbi të gjitha, pa një shtrat historik.
Ky front i dedikohet vetëm një njeriu, Sali Berishës dhe bashkëpunëtorit të tij Ilir Meta, dhe kjo ngrehinë shkrehet me ikjen e tij.
Pa veprimin e drejtësisë, ai mund të mbijetojë dhe disa kohë fizikisht, derisa të rrënohet politikisht dhe të deligjitimohet nga pikëpamja elektorale.
Por kjo është një rrugë me kosto më të lartë, sidomos me dobësim të opozitës. Sali Berisha realisht më shumë se armik i Perëndimit, është armik i opozitës shqiptare dhe varrmihës i saj.
Betejën kundër Perëndimit ai po e përdor për të përdhunuar opozitën shqiptare dhe për ta vënë në rresht për interesa të tij. Me ikjen e tij bie dhe fronti anti-perëndimor në Shqipëri dhe mbyllet dhe përçarja e opozitës.
Në fund do të humbasë dhe betejën me Perëndimin, dhe betejën me opozitën, por bilanci do të jetë i hidhur për opozitën, nëse drejtësia nuk bën detyrën e saj për të ndarë spekulimin nga e vërteta e hidhur e një njeriu që ka vrarë , ka vjedhur dhe ka minuar demokracinë vetëm për interes të tij dhe familjes së tij.