Personalisht jam prej tre brezash i majtë, d.m.th këtë teori dhe praktike e njoh shumë mirë. Që mos më ngatërrojnë me liberalët e sotëm, jam me të majtën që voton edhe për luftë, kur bëhet fjalë për interesin kombëtar, pasi siç ka thënë edhe Çajupi:
Luftën që shkatërron njerëzinë/
S’do ta dëshiroja kurrë/
Por në më prekshin kufine/
Do të luftoja si burrë.
E që t’i kthehemi temës, vë re që kohët e fundit liberalët nervozohen, kur për shembull disa tallen që në skuadrat kombëtare të kombeve (se quhet skuadër kombëtare jo shtetërore) ka kolorit racash dhe ngjyrash.
Le të jemi të qartë: nuk jam kundër emigracionit. Le të jetë brenda rregullave. Por deri këtu. Shtetësia është punë shqiptarësh që kanë lindur e rritur prej të paktën tre brezash këtu apo kanë një damar shqiptar. Jo për gjë, por na ka kërcitur shpina e derdhur gjak derisa e bëmë komb e shtet këtë vend, dhe akoma gjysma është jashtë kufijve. Dhe nuk kam qejf që të vije një që e flet shqipen shatra patra dhe të jetë njësoj me mua. Para se shtetësinë ta marrin sirianët, indianët, birmanët, janë shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë etj që janë në radhë dhe ju takon se kanë derdhur gjak për atë pasaporte.
Le të vijmë tek kombëtarët. P.sh ajo e Francës. Është e mbushur me lojtarë nga ish-kolonitë. Janë francezë, thonë disa, se kanë lindur në Francë. Avash o trim, avash. Kur thua kombëtarë ke parasysh kombin. E nëse Franca është e përbërë në 80% nga popullsi ish-koloniale, atëherë ta gëzojë. Në qoftë se stërgjyshërit e këtyre luftuan me Napoleonin, hallall e paçin. Por kur thua kombëtarë ke parasysh diçka më shumë se një klub i cili thjesht mbledh talente; është diçka përtej përfaqësimit proporcional të popullsisë apo diskriminimit pozitiv.
Është skuadër që përfaqëson historinë, kombin, tokën, gjakun e derdhur dhe flamurin e copëtuar në beteja. Se na kujtohen këto, ndaj na mbushën sytë me lot kur ekzekutohet himni kombëtar në fillim të ndeshjes. Gjithsesi punë e Francës kjo. Unë jam që kombëtarja shqiptare të jetë me ata që kanë tre breza që i thonë vetes shqiptarë, flasin shqip në shtëpi, dhe nuk e ngatërrojnë Skënderbeun me Saladinin.