MENU
klinika

Analiza

Epoka e interesave afër zeros mbaroi, po tani?

04.12.2022 - 17:31

Për afërsisht një dekadë, inflacioni i ulët dhe normat e interesit afër zeros u kthyen në një normalitet të ri. Por, vala inflacioniste që nisi vitin e kaluar i ndryshoi gjërat shpejt dhe papritur. Çfarë do të ndryshojë për ekonominë, tani që epoka e normave minimale të interesit ka përfunduar?

Deri një vit më parë, inflacioni dukej si një kujtim i largët. Kriza financiare në vitin 2008 gradualisht solli për Europën një periudhë të gjatë me rritje ekonomike anemike dhe me inflacion të ulët. Për afërsisht një dekadë, bankat qendrore i provuan të gjitha për ta kthyer inflacionin në objektiv.

Fillimisht, u shteruan instrumentet konvencionale dhe normat bazë të interesit zbritën afër zeros. Por, kur as kjo nuk po mjaftonte për t’i rritur çmimet, disa prej bankave qendrore provuan edhe instrumente jokonvencionalë, nëpërmjet instrumenteve të lehtësimit sasior, apo blerjes direkte të instrumenteve financiare nga bankat qendrore.

Vite të tëra “luftë” me inflacionin e ulët e kthyen ambientin me norma minimale interesi në një normalitet dhe epoka e interesave të larta dukej një kujtim i largët. Por, inflacioni i lartë u kthye papritur vitin e kaluar, si një “armik” i harruar, duke i kapur tregjet dhe vendimmarrësit në befasi.

Pjesa tjetër është histori e freskët: inflacioni, në shumicën e ekonomive, preku nivelin më të lartë prej dekadash. Bankat qendrore u detyruan të ndërmarrin një rritje me ritme shumë të shpejta të normave të interesit, në përpjekje për të frenuar marshimin e inflacionit.

Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë me pesë herë në pak më shumë se shtatë muaj, duke e çuar nga 0.5% në 2.75%. Rritja e normës bazë të interesit dhe orientimet e Bankës së Shqipërisë në formën e ‘forward guidance’  (dhënia e informacionit rreth politikës monetare në vijim) janë reflektuar në një rritje të shpejtë të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë në tregun primar.

Rritja më e fortë është regjistruar në instrumentet afatshkurtra, që kanë edhe frekuencën më të shpeshtë të emetimit. Yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore është rritur me 4.12 pikë përqindje në harkun e një viti. Kjo rritje në instrumente është e kuptueshme, duke faktorizuar sinjalet e politikës monetare dhe nivelet e larta të inflacionit.

Por, rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe instrumentet afatgjata, ku në teori, rritja duhet të ishte më e kufizuar, nëse do të faktorizonte një pritshmëri për stabilizimin gradual të inflacionit gjatë viteve në vazhdim. Në këtë rast, rritja ka ardhur më shumë për shkak të kufizimeve të ofertës dhe hezitimit të institucioneve financiare për të investuar në instrumente afatgjata.

Qeveria është huamarrësi më i madh në ekonomi dhe çmimi që paguan ajo për borxhin detyrimisht është një benchmark për normat e interesit në tregun financiar, duke orientuar edhe interesat e kredive për sektorin privat dhe, në mënyrë më të tërthortë, edhe normat e interesit që bankat paguajnë për depozitat e publikut.

Natyrisht, rritja e normave të interesit dhe yield-eve nuk pritet të vijojë përgjithmonë me këto ritme. Vitin e ardhshëm shpresohet që rritja të jetë më e ngadaltë dhe nëse skenarët bazë të projeksioneve inflacioniste vërtetohen, ndoshta yield-et mund të bien sërish brenda dy viteve të ardhshme.

Por, sidoqoftë, për momentin duket e vështirë që normat e interesit të kthehen pranë niveleve minimale historike, ku qëndruan në vitet e fundit.

Shpenzimet e qeverisë për interesa rriten me 20%

Yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare u rrit për të dytin tremujor radhazi, duke reflektuar rritjen e shpejtë të normave të interesit në tregun financiar vendas.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit shtator, yield-i mesatar i të gjitha instrumenteve arriti në 3.72%, nga 3.55% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe 3.5% në fund të tremujorit të parë.

Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 3.87%, nga 3.71% në mesin e këtij viti. Për nëntë muajt e parë të vitit, buxheti ka shpenzuar 21.1 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, shumë kjo 7% më e lartë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, në segmentin e borxhit të jashtëm, rritja e shpenzimeve për interesa është më e kufizuar, në masën 2%. Kjo ndodh kryesisht sepse në pjesën më të madhe, borxhi i jashtëm është siguruar nëpërmjet instrumenteve afatgjata me kupon fiks, ndaj rritja e yield-eve në tregjet e huaja është reflektuar në mënyrë më të kufizuar dhe ka ardhur sidomos nga portofoli i kredive me interesa të ndryshueshëm.

Përveç rritjes së yield-it mesatar, borxhi i brendshëm është përballur me një ulje të kohëzgjatjes mesatare të maturimit.

Në fund të shtatorit, maturiteti mesatar zbriti në 830 ditë, nga 850 ditë në fund të muajit qershor. Rënia ka ardhur pjesërisht për shkak të vështirësive për të realizuar shumat e planifikuara të huamarrjes nëpërmjet obligacioneve dhe zëvendësimit të tyre me huamarrje afatshkurtër nëpërmjet Bonove të Thesarit.

Këtë vit, yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm është drejt rritjes, për herë të parë që prej vitit 2009. Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normës bazë të interesit (2.75% nga 0.5% që ishte në fillim të vitit) kanë sjellë rritje të shpejtë të yield-eve të bonove dhe obligacioneve. Kjo rritje pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me vitin 2022. Ministria e Financave ka parashikuar për vitin e ardhshëm një fond kontingjence prej 4.9 miliardë lekësh, për të mbuluar rreziqet e lidhura me rritjen e shpenzimeve të shërbimit të borxhit.

Në buxhetin 2023, parashikohet një ulje e ndjeshme e deficitit buxhetor në 2.6% të PBB-së, nga 4.1% që është niveli i pritshëm i vitit 2022. Në këtë mënyrë, edhe kontributi i sektorit publik në ekonomi pritet të jetë më i ulët.

Në tërësi, rritja e normave të interesit dekurajon mbajtjen e deficiteve dhe borxheve të larta nga qeveritë. Në periudhën e post krizës financiare të vitit 2008, shumica e qeverive u përballën me një rritje të borxhit publik. Normat e ulëta historike të interesit ishin një faktor shumë i rëndësishëm për të mundësuar përballimin e niveleve të larta të borxhit publik nga qeveritë.

Normalizimi i normave të interesit do ta bëjë më sfidues mbajtjen e borxheve të larta publike dhe teorikisht, do të diktojë një disiplinë më të madhe fiskale. Në strategjitë  afatmesme, qeveria shqiptare parashikon një ulje graduale të borxhit publik.

Nëse normat e larta të interesit rrisin koston e huamarrjes, nga ana tjetër, ato rrisin edhe përfitimet nga kursimet. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në shtator kërceu në 1.45%, në rritje për të tretin muaj radhazi.

Krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin rritës të normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në Lek është rritur me 0.75 pikë përqindje, ose 107%

Por, ndërkohë që normat më të larta të interesit rrisin fitimet nga kursimi, rritja e inflacionit e ul mundësinë e familjeve për të kursyer. Këtë vit, tendenca e ngadalësimit të depozitave po përvijohet qartë, megjithëse ende jo në përmasa shumë shqetësuese.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat bankare në fund të shtatorit kishin vlerën totale të 1.5 trilionë lekëve, në rritje me 8.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e depozitave paraqitet më e ngadalësuar krahasuar me vitin e kaluar, kur zgjerimi i tyre kishte qenë 11.9%.

Frenimi i rritjes së depozitave, sidomos të atyre në Lek, është tregues i tërthortë i efekteve të inflacionit në bilancet familjare.

Rritja e çmimeve, me sa duket, ka ulur aftësinë e familjeve për të kursyer. Ndërkohë, edhe rritja e shpejtë e yield-eve të bonove të thesarit gjatë këtij viti mund t’i ketë bërë këto instrumente më tërheqëse në raport me depozitat, duke ndikuar në një rritje më të ngadaltë të tyre.

Ngadalësohet rritja e sektorit bankar

Statistikat tregojnë se sektori bankar po vijon rritjen, por me ritme më të ngadalësuara krahasuar me vitin e kaluar. Treguesit e paaudituar financiarë të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) tregojnë se totali i aktiveve të sektorit, në fund të 9-mujorit 2022, arriti në pothuajse 1.87 trilionë lekë, në rritje me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, ritmi i rritjes vjetore të sektorit bankar paraqitet më i ngadaltë krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur aktivet e sektorit bankar ishin rritur me 11.75%.

Ngadalësimi i rritjes së sektorit bankar mund t’i atribuohet kryesisht frenimit në ritmin e rritjes së depozitave, që përbëjnë edhe burimin kryesor të ndërmjetësimit financiar të sektorit bankar shqiptar.

Kjo tregon se rritja e çmimeve po jep disa efekte edhe në aktivitetin e sektorit bankar, megjithëse këto efekte nuk kanë prekur indikatorët më të rëndësishëm, ata të lidhur me kredidhënien dhe përfitueshmërinë.

Në këtë fazë të parë, ndikimi i rritjes së normave po rezulton pozitiv në zërin e të ardhurave nga interesat të sektorit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin, të ardhurat neto nga interesi arritën në 38.5 miliardë lekë, në rritje me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë historike e të ardhurave neto nga interesat deri në fund të 9-mujorit.

Rritja e të ardhurave neto nga interesi ka ardhur sepse në vlerë, rritja e të ardhurave nga interesat (5.4 miliardë lekë) ka qenë më e madhe se rritja e shpenzimeve për interesa (0.9 miliardë lekë). Nga ana tjetër, edhe vazhdimi i rritjes me ritme dyshifrore të kredidhënies ka ndikuar gjithashtu pozitivisht në bilancin neto të sektorit bankar nga interesat.

Sidoqoftë, ndikimi i rritjes së normave të interesit është i qartë edhe në shpenzimet për interesa, kryesisht të depozitave. Për 9-mujorin, shpenzimet e bankave për interesa u rritën me 16.7%. Shpenzimet për interesa po rriten për herë të parë pas një dekade, duke reflektuar kthesën e shpejtë në kahun e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Ashtu siç pritej, faza e parë e rritjes së normave të interesit në tregun financiar ka pasur ndikim pozitiv në të ardhurat neto nga interesi të sektorit bankar. Për shkak të mënyrës si funksionin mekanizmi i transmetimit, rritja e interesave reflektohet së pari në krahun e aktiveve të sektorit.

Tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikohet, i pari, nga lëvizjet e normës bazë të interesit. Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase.

Me gjithë rritjen e të ardhurave neto nga interesi, të ardhurat totale të bankave për 9-mujorin e këtij viti, kanë pësuar  rënie të lehtë me 1% krahasuar me vitin e kaluar.

Të paktën në raportimin financiar sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, efekti pozitiv i të ardhurave nga interesat është “anuluar” nga rënia e të ardhurave nga burimet e tjera dhe kryesisht, përkeqësimi i rezultatit nga instrumentet financiare.

Për 9-mujorin, rezultati nga instrumentet financiare ishte negativ në vlerën e 5.7 miliardë lekëve, në përkeqësim të dukshëm nga 9-mujori 2021, kur bankat  rezultonin me një fitim prej 1.3 miliardë lekësh.

Përkeqësimi i këtij zëri ka ardhur, kryesisht, si rezultat i rritjes së yield-eve në tregjet financiare, faktor që ka zhvlerësuar portofolin e titujve të mbajtur me vlerë të drejtë në bilancet e sektorit bankar.

Rritja e yield-eve “dërrmon” fondet e investimit

Tregu i fondeve të investimit ka qenë, ndoshta, segmenti më i goditur i tregut financiar, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit.

Rënia e tregut të fondeve të investimit këtë vit është e lidhur kryesisht me ciklin e rritjes së shpejtë të normave të interesit, që ka ndikuar negativisht në vlerën e drejtë të portofolit të investimeve ekzistuese të fondeve.

Kjo është reflektuar në rënie të kthimeve, duke i bërë fondet më pak tërheqëse për investitorët, në raport me alternativat e tjera që ofron tregu financiar.

Raportet periodike mujore për fondet e investimit tregojnë se të gjitha paraqiten me kthime negative vjetore në fund të tetorit. Kështu, fondi më i madh, Raiffeisen Prestigj, shënonte rënie me 3.18%, Raiffeisen Vizion -6.74%, Credins Premium -5.44%, Albsig Standard -6.6%, Raiffeisen Invest Euro -11.13%, Raiffeisen Mix -11.9%.

Një performancë e tillë natyrshëm ka shtyrë shumë investitorë të dalin nga fondet e investimit, duke likuiduar kuotat.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se, vlera e aseteve neto të tregut ra në 53.7 miliardë lekë, ose 30.8% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Investitorët kanë parapëlqyer t’i zhvendosin fondet e tyre drejt tregut primar të bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare, që këtë vit po ofrojnë kthime gjithnjë e më tërheqëse.

Të dhënat nga AMF tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve u rritën me 138% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo shifër shpjegon, në një masë të caktuar, edhe rënien e vlerës së aseteve të fondeve të investimit. Investitorët kanë preferuar të tërheqin asetet e mbajtura në fondet e investimit dhe t’i investojnë paratë direkt në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare.

Tregu dominohet nga fondet e investimit në Lek, që i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare. Në fund të muajit shtator, fondet në Lek përbënin më shumë se 90% të aseteve neto të tregut. Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit ka dhënë efekt të ngjashëm negativ edhe te fondet e investimit në valutë të huaj.

Tendenca e daljes së investitorëve nga fondet duket qartë edhe nga rënia e numrit të anëtarëve. Në fund të shtatorit, numri i anëtarëve në fondet e investimit ra në pak më shumë se 34 mijë, 14.6% më pak krahasuar me fundin e vitit 2021. Burimet nga tregu bëjnë të ditur se tendenca e tërheqjes së investitorëve po vijon edhe në tremujorin e katërt.

Sidoqoftë, drejtuesit e shoqërive administruese të fondeve mendojnë se efekti negativ nga rritja e normave të interesit do të jetë afatshkurtër. Rritja e yield-eve në emetimet e reja do të krijojë hapësira që kthimet e fondeve të rriten gradualisht në një periudhë afatmesëm dhe afatgjatë.

Për këtë arsye, ata këshillojnë që investitorët të ndjekin një horizont afatgjatë në zgjedhjet e tyre të investimit. Në treg aktualisht veprojnë 11 fonde investimi të menaxhuara nga pesë shoqëri administruese. Fondet e administruara nga shoqëria administruese “Raiffeisen Invest” ngelen dukshëm dominuese, me pothuajse 95% të aseteve neto të tregut.

Nga 11 fonde aktive, 7 prej tyre dhe kryesisht ato më të mëdha kanë pësuar rënie të vlerës së aktiveve. Vetëm 4 prej fondeve kanë vijuar rritjen në këtë periudhë, por pesha e tyre kundrejt totalit të tregut është shumë e vogël

Rritja e normave të interesit forcon Lekun…në teori

Në teori, një politikë monetare më shtrënguese ka efekt pozitiv në kursin e këmbimit të monedhës vendase. Rritja e normave të interesit e bën Lekun si monedhë më tërheqëse për mbajtjen e kursimeve dhe për vendosjen e investimeve të publikut.

Në fakt, kthimet e instrumenteve financiare në Lek, sidomos të bonove dhe obligacioneve, kanë shënuar rritje të fortë gjatë këtij viti dhe mund të ofrojnë incentiva të mjaftueshme që një investitor i vogël t’i kthejë kursimet në Lek dhe t’i investojë paratë në këto instrumente.

Kjo do të rriste ofertën për euro dhe kërkesën për lekë, duke ndikuar në mbiçmimin e monedhës vendase. Në fakt, këtë vit, Leku po regjistron pozitat më të forta historike në kursin e këmbimit me Euron.

Por, në praktikë, ekspertët e tregut financiar mendojnë se efekti i rritjes së normave të interesit në kursin e këmbimit të Lekut ka efekt të papërfillshëm. Euro vazhdon të mbetet një monedhë e preferuar për mbajtjen e kursimeve. Fakti që këtë vit, rritja e depozitave bankare ka ardhur në pjesën dërrmuese pikërisht nga fondet në Euro duket se e mbështet këtë konstatim.

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh se ekonomia sot është e globalizuar dhe Shqipëria ka një varësi të lartë nga zhvillimet ekonomike botërore dhe ato europiane, është e qartë se diferencat në normat e interesit kanë prirjen të jenë afatshkurtra.

Në një cikël ekonomik të njëjtë, bankat qendrore lëvizin në të njëjtin kah. Edhe Banka Qendrore Europiane është në mes të një cikli rritjesh të normave të interesit, ndonëse ende ngelet në një nivel më të ulët se Banka e Shqipërisë (2%, kundrejt 2.75%).

Në përfundim të ciklit të normalizimit monetar, mund të supozohet se diferencat në normat bazë dhe në normat e tjera të interesit mes Lekut dhe Euros nuk do të jenë aq të mëdha sa për të pasur  ndikim në preferencat e publikut dhe në raportet mes dy monedhave në kursin e këmbimit valutor.

Investimet priten të ndikohen negativisht

Teorikisht, normat e ulëta të interesit ulin kostot e financimit të projekteve të reja dhe kanë efekt pozitiv në nxitjen e investimeve.

Një efekt i tillë nuk duket shumë i fortë, duke parë ritmet e rritjes së investimeve në ekonominë shqiptare në dekadën 2011-2020, periudhë që është karakterizuar nga një tendencë në ulje e normave të interesit. Për këtë periudhë, formimi bruto i kapitalit fiks është rritur mesatarisht me 0.7% në vit, ndërsa në dekadën pararendëse rritja vjetore e kapitalit fiks kishte qenë rreth 8.5% në vit.

Kjo tregon se ecuria e investimeve mund të jetë ndikuar shumë nga faktorë të tjerë, si cikli i ekonomisë, pozicioni dhe shkalla e kontributit të sektorit publik, frenimi i kreditimit për shkak të krizës së kredive me probleme, apo pjesërisht edhe ngjarje të jashtëzakonshme, si tërmeti dhe pandemia.

Në kahun pozitiv sa i takon nivelit të përgjithshëm të investimeve, sidoqoftë vlerësohet se kanë ndikuar Investimet e Huaja Direkte.  Rritja e investimeve ishte sidomos e lidhur me projekte të mëdha strategjike, si TAP apo ndërtimi i disa projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë hidrike.

Rritja e çmimit të parasë në pothuajse të gjitha ekonomitë kryesore globale teorikisht do t’i bëjë më të kushtueshme burimet e financimit dhe nuk mund të përjashtohet që, si investimet e brendshme, ashtu edhe ato të huaja direkte të ndiejnë efektet e zhvendosjes për lart që po pësojnë normat e interesit.

Nga ana tjetër, në kushtet e inflacionit të lartë, bizneset mund të përballen me trysni të shtuara mbi marzhet e tyre dhe me rënie të konsumit, situatë që nuk e favorizon kryerjen e investimeve të reja./MONITOR