Sektori i përpunimit të qumështit, prej gati një viti, vijon të jetë në vështirësi nga shtimi i kostove. Prej fillimit të vitit 2022, çmimi i qumështit të lopës u shtrenjtua nga fermat e vogla dhe të mëdha me 75-100% krahasuar me vjet.
Pavarësisht çmimit të lartë, përpunimi i produktit po has vështirësi, pasi numri i fermave të vogla është tkurrur nga emigrimi dhe shtrenjtimi i lëndëve të para ushqyese për kafshët. Rënia e prodhimit ka shtrenjtuar produktet e bulmetit, ndërsa sasia e djathit të staxhionuar është në rënie krahasuar me vjet.
Fabrikave u janë shtuar kostot prodhuese edhe nga heqja e skemës për kreditimin e TVSH-së 6% që nisi zbatimin nga 1 janari 2022, vendosja e akcizës të gazit 6 lekë për litër, rritja e çmimit të energjisë, karburantit dhe materialeve ambalazhuese.
Këta faktorë kanë ndikuar që çmimet e produkteve të bulmetit, sipas të dhënave të operatorëve, të rriten 40 deri në 50% për periudhën janar-tetor krahasuar me vitin e kaluar.
Shtrenjtimi i çmimeve ka zvogëluar konsumin deri në 20% më pak se vjet, duke shtuar edhe efektin e largimeve masive të popullatës, siç pohojnë drejtuesit e fabrikave të qumështit. Nga pranvera 2023, prodhimi i qumështit nga bagëtitë e imta parashikohet të ketë një rritje 20-30%.
Kjo mund të detyrojë kompanitë të shtrenjtojnë sërish çmimet. Me rritjen e çmimeve, do të shtohet edhe presioni i prodhuesve për konkurrueshmërinë, me prani të shtuar të produkteve të gatshme nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke rrezikuar falimentimin e prodhuesve vendas.
Për shkak të të gjithë këtyre faktorëve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon për “Monitor” se sektori është në situatë të pafavorshme dhe rrezik real për faliment.
“Shtimi i kostove ka rënduar më tepër situatën e vështirë ku ndodhet tashmë prej muajsh sektori i përpunimit të qumështit. Vështirësitë dhe problematikat janë të mëdha, sepse fuqia blerëse ka rënë këta muaj dhe presioni i produkteve të importit rritet përditë.
Çdo ditë, produktet e importit bëhen më të pranishme në raftet e marketeve dhe supermarketeve tona.
Çmimi i qumështit nga blegtorët po shitet shumë shtrenjtë. Kostot janë shtuar edhe nga shtrenjtimi i energjisë, naftës, gazit, materialit paketues. Shqetësim mbetet edhe shtimi i informalitetit nga baxhot dhe qumështi i rrugës. Nëse nuk do të kemi ndryshim të situatës, atëherë sektori do të shkojë në një rënie pa kthim dhe zhdukje të sigurt”.
Në këtë situatë, Shoqata e Industrisë së Përpunuesve të Qumështit kërkon me emergjencë marrjen e disa masave, duke nisur me ndryshimin e skemës së subvencioneve.
Kompanitë përpunuese shtojnë edhe rikthimin e skemës së kreditueshnme të TVSH-së, ose uljen e saj në shitje, heqjen e TVSh-së tek inputet bujqësore dhe akcizës së gazit.
Pse ka rënë prodhimi i qumështit
Në total, sasia e grumbulluar e qumështit në vitin 2021 është me rënie rreth 4% krahasuar me 2020, sipas të dhënave të INSTAT. Në raport me periudhën para pandemisë, vitin 2019, tkurrja ishte 25%. Ndërsa sasia e qumështit të lopës së grumbulluar në 2021, në raport me 2020, ishte 7% më pak.
Prodhimi është në rënie edhe këtë vit. Operatorët ngrenë shqetësimin se prej një viti po përballen me mungesën e qumështit, sidomos të lopës, për shkak të emigrimit dhe shtrenjtimit të lëndëve ushqyese të kafshëve. Përveç vështirësive për gjetjen e qumështit, çmimi nga fermerët ka pasur rritje shumë të lartë. Një litër qumësht vjet ishte 38 deri në 40 lekë, aktualisht po shitet 70 dhe 80 lekë (rritja 75-100%).
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon se rënia e prodhimit të qumështit është krijuar nga rritja e kostove të blegtorëve për bazën ushqimore të kafshëve, duke sjellë që shumë prej tyre, të mos kishin mundësi për të përballuar kostot e shtuara për mbajtjen e kafshëve.
“Për fat të keq, në vendin tonë, pjesa më e madhe e ushqimeve të nevojshme për blegtorinë vijnë nga importi. Rritja e çmimeve, për shkak të krizës botërore, ka shtuar edhe kostot e ushqimeve të importuara të blegtorisë në vendin tonë.
Për këto arsye, një pjesë e blegtorëve kanë ulur numrin e krerëve që ata mbarështojnë. Të tjerë kanë shitur ose therur kafshët dhe kanë mbyllur fermat.
Një pjesë kanë mbajtur të njëjtin numër krerësh, por kanë rendiment më të ulët prodhimi nga kafshët e tyre, si pasojë e ndryshimit të formulave dhe protokollit ushqimor të kafshëve.
Të gjitha këto kanë bërë që të ulet sasia e prodhuar e qumështit të lopës, e cila ka sjellë këtë situatë në tregun aktual të qumështit.
Së fundmi, duhet të përmendim se çmimi i lartë i shitjes së qumështit nga fermerët, ka sjellë rënie të fuqisë blerëse te konsumatorët, prandaj duhet të merren masa dhe të ketë ndërhyrje, në të kundërt produkti vendas nuk do të jetë i preferuar në raport me produktet e importit nga konsumatori final në raftet e supermarketeve”.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë ADG, që tregton produkte bulmeti të markës “Lufra”, Luis Ndreka, pohon për “Monitor” se krahasuar me vjet, prodhimi i qumështit është 15% më pak, ndërsa çmimi ka arritur më lart se vendet e Europës.
Z. Ndreka ngre shqetësimin se nga rritja e kostove, produktet vendase po humbin konkurrueshmërinë.
“Problematikat kryesore për momentin kanë të bëjnë me kostot. Shqetësimi më i madh është mungesa rreth 15% e qumështit, si lëndë e parë në vend.
Vështirësia për të gjetur sasinë e duhur të qumështit nga fermat rrjedhimisht ka prishur ekuilibrat e çmimit. Sot çmimi me të cilin po blihet qumështi në derën e fermës e kalon çdo shtet të Europës.
Duke pasur parasysh që produktet e Europës dhe rajonit gjenden çdo ditë e më shumë në raftet e supermarketeve shqiptare, kjo na ka krijuar presion të jashtëzakonshëm.
Siç e kemi thënë më parë, blegtoria në rajon dhe Europë subvencionohet më tepër se në Shqipëri ndaj dhe ata arrijnë të jenë të konkurrueshëm në raft.
Të mos harrojmë që lënda e parë qumësht është rreth 65% e kostos totale të produktit final dhe një ndryshim në këtë kosto ka ndikim shumë të madh në koston totale”.
Për mungesën e qumështit, Luis Ndreka rendit disa arsye që nga rënia e kërkesës në pandemi dhe efektet e luftës në rritjen e çmimeve të lëndëve të para.
“Pandemia frenoi konsumin sezonal të produkteve tona gjatë verës 2020 (nuk kishim turistë). Për rrjedhojë, të gjithë përpunuesit nuk patën mundësi të zbrazin magazinat me produkt dhe u krijua ulje e kërkesës për lëndë të parë. Tkurrja e menjëhershme e kërkesës uli çmimin dhe një çmim i ulët i demotivon blegtorët të vazhdojnë me mbarështimin e kafshëve. Ndaj, një pjesë e mirë e tyre u detyruan t’i çojnë në thertore.
Me ardhjen e vitit 2021, kërkesa sezonale filloi të rregullohej dhe që në fund të 2021 u ndje mungesë e lehtë e furnizimit me qumësht. Mbi këtë situatë, u shtua edhe rritja e kostove të fermerëve, pasi inputeve bujqësore iu vendos sërish 10% TVSH.
Mbi të gjitha, rritjen e kostove të ushqimit për fermat e nxiti fillimi i luftës Rusi-Ukrainë. Përballë rritjes së menjëhershme të kostove, një pjesë e mirë e fermerëve vazhduan të ulin numrin e krerëve në stallat e tyre, pasi nuk e përballonin dot blerjen e ushqimit për kafshët”.
Sipas administratorit të kompanisë “Gjirofarma”, Piro Karanxha, mungesa e qumështit në treg, për shkak të uljes së numrit të kafshëve dhe rritjes së çmimeve për ushqimin e tyre, ka ndikuar negativisht në sektorin përpunues.
“Në lidhje me lëndët e para ekzistojnë dy problematika.
E para, mungesa në treg e lëndës së parë qumësht, kryesisht për shkak të rënies së numrit të krerëve, por edhe për shkak të shtrenjtimit të bazës ushqimore, ku fermerët na sqarojnë se detyrohen të ushqejnë bagëtitë me sasi minimale, gjë që sjell, si pasojë, rënien e produktivitetit.
E dyta ka të bëjë me koston e lëndës së parë qumësht, ku në fakt, çmimi i blerjes së qumështit nga ana jonë është më i madh se në vendet e tjera të rajonit. Kjo kosto shtesë ndikon në aftësinë konkurruese të produkteve tona, krahasuar me ato të rajonit.”
Për përfaqësuesin e kompanisë së përpunimit të qumështit “Erzeni”, Saimir Begaj, mungesa e produktit kryesor është ndikuar edhe nga emigrimi i fermerëve.
“Tashmë u bë një vit që në treg, qumështi i lopës gjendet me vështirësi. Në muajt korrik – gusht kemi pasur mungesë të djathit të staxhionuar. Kjo ka ardhur për shkak të rënies së numrit të fermave të vogla.
Edhe pse fermat e mëdha të mbajtjes së lopëve janë rritur në raport me reduktimin e fermave të vogla, zgjerimi i tyre nuk ka efekt te prodhimi. Rënia e fermave të vogla ka ardhur për shkak të emigrimit të të rinjve.
Kërkesa për djathë lope po plotësohet me vështirësi me qumësht nga jashtë, pasi edhe qumështi i importit është në rënie”, pohoi ai. Taulant Pupa, administrator i kompanisë “Vita 2001”, thekson se çmimi i qumështit është stabilizuar dhe se rritja e tij ka motivuar fermerët të shtojnë prodhimin.
Pavarësisht kësaj, prodhimi vijon të jetë më i ulët se vjet dhe Pupa shton si arsye emigracionin e fermerëve. “Çmimet e qumështit kanë shënuar rritje të lartë, kryesisht ai i lopës.
Tashmë ne përpunuesit kemi arritur të stabilizojmë situatën me këto çmime, pra i kemi pranuar këto nivele. Fermerët, nga ana tjetër, janë më të motivuar për të prodhuar, për shkak të çmimit të lartë të shitjes.
Por sasia e prodhuar nuk është e mjaftueshme, pasi mungojnë fermerët e rinj. Të rinjtë e moshës 30 deri në 40 vjeç e shohin të ardhmen vetëm në emigracion. Kjo grupmoshë e refuzon edhe punësimin në Shqipëri, pasi kërkojnë të punojnë më pak se 8 orë dhe të paguhen shumë”, thekson ai.
Për situatën e vështirë të blegtorëve, sipas drejtorit të Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Donjaldo Hoxha, së fundi ka pasur reagime edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku janë bërë takime me aktorë të ndryshëm të sektorit, dhe janë marrë sugjerime nga ekspertë të huaj.
“Të shpresojmë se ky angazhim i ministrisë, të kthehet në masa dhe reagime konkrete, për të përmirësuar situatën në terren të blegtorisë”.
Kostot e shtuara nga energjia, kërkohet unifikimi i çmimit
Përveç çmimit më të lartë të qumështit të freskët në rajon që blihet nga blegtorët, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon se i janë shtuar kostot në përpunim edhe nga çmimi i rritur i energjisë elektrike, naftës, gazit të lëngshëm për industrinë (shto dhe akcizën e re që aplikohet nga data 1 korrik 2022), çmimi i rritur i të gjitha materialeve paketuese dhe subvencionimi më i ulët i blegtorëve në krahasim me rajonin.
Sektori po përballet edhe me shqetësimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, veçanërisht operatorët e lidhur me tensionin e lartë, që po paguajnë kosto deri në 7 herë më të larta se vjet.
Për kompaninë “Erzeni”, një ndër përpunuesit e qumështit të lidhur me tensionin e lartë 35 volt, nga 1 tetori, çmimi i energjisë arriti 59,5 lekë për kWh.
Kompania “Erzeni” është pjesë e grupit prej mbi 90 subjekteve të lidhura në tensionin e lartë 35 kilovolt, të cilat, sipas ligjit, prej vitet 2018 sigurojnë energjinë nga një furnizues privat, duke u shkëputur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Para vitit 2021, çmimi i energjisë elektrike për këtë kompani ishte 8 lekë për kWh.
Më pas, nga 1 janari 2021, çmimi u rrit 62,5%, duke arritur në 13 lekë. Në korrik, çmimi pati tjetër shtrenjtim prej 38%, duke arritur në 13 lekë, ndërsa nga janari 2022, çmimi i energjisë ishte 34 lekë për kWh. Krahasuar me vjet, rritja e çmimit të muajit tetor është rreth 7 herë më e lartë, ndërsa në raport me çmimin e ndryshuar të muajit janar 2022, është 75% më shtrenjtë.
Kompanitë e tjera janë të lidhura me tensionin e mesëm dhe paguajnë energjinë 21 lekë për kWh nga 8,9 lekë që e paguanin vitin e kaluar (rritja 135% më shumë se vjet). Në mbrojtje të bizneseve nga rritja e çmimeve të energjisë, ERE miratoi çmime preferenciale për 7,740 biznese të lidhur me TM 20,10 dhe 6 kilovat që për herë të para dolën në tregun e lirë nga 1 janari 2022.
Fillimisht u përcaktua që këto biznese do të mbrohen deri në qershor 2022 nga rritja e çmimeve, pas këtij afati, situata do të rivlerësohet, duke e shtyrë edhe me 6 muaj deri më 31 dhjetor 2022.
Duke qenë se në sektorin e përpunimit të qumështit për disa fabrika aplikohen çmime të ndryshme të blerjes së energjisë elektrike, për administratorin e kompanisë “Gjirofarma”, z. Karanxha, konsiderohet një problem që ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën në treg, pasi disa kompani penalizohen dhe të tjera, përfitojnë.
“Është shumë e rëndësishme që të unifikohen çmimet e energjisë elektrike për të gjitha kompanitë e sektorit, pasi situata aktuale krijon probleme në konkurrencën e ndershme. Në vazhdim dhe sipas situatës duhet parë dhe mundësia e subvencionimit të një pjese të kostos së energjisë, por gjithsesi, unifikimi i çmimit është i domosdoshëm dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ai.
Për Luis Ndrekën, nga kompania “Lufra”, barra e çmimit të energjisë elektrike është shtuar krahasuar me vitin e kaluar, edhe pse sipas tij, qeveria ka bërë mjaft që këtë çmim të mos e absorbojë të gjithin biznesi.
Kompanitë kërkojnë rikthimin e TVSH-së së kreditueshme
Problematikave të pazgjidhura ndër vite në blegtori iu shtua në vitin 2022 edhe shtimi i kostove nga heqja e skemës së TVSh-së të kreditueshme.
Përpunuesit thonë se situata është më e vështirë se në 2019-n, kur TVSH-ja e kreditueshme u ul nga 20% në 6%. Me ndryshimet fiskale të paketës së mëparshme, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.
“TVSH-ja e kreditueshme vazhdon të jetë një problem që përpunuesit e vendit e vuajnë, sidomos te qumështi, sepse siç edhe e përmenda, lënda e parë qumësht është rreth 65% e kostos. Imagjino një prodhues që nuk krediton dot TVSH e 65% të kostos së produktit.
Në rastin e blegtorisë, ndryshe nga bujqësia (perimet dhe frutat) eksportet janë shumë të kufizuara ose pothuajse inekzistente, ndaj na duhet ta paguajmë të gjithë TVSH në shitje, pa kredituar atë në blerje”, pohon Luis Ndreka.
Qasja është e njëjtë edhe për përfaqësuesin e “Gjirofarma”. Për situatën e pafavorshme që ka krijuar heqja e skemës te përpunuesit, z. Karanxha propozon dy alternativa, ose çdo kombinim të mundshëm ndërmjet tyre.
“Ulja e TVSh-së së kreditueshme nga 20% në 6% dhe në vazhdim, heqja totale e saj, ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e kostove tona për sa i përket lëndës së parë, pasi çmimi final i paguar te fermeri nuk ndryshoi, për shkak të vetë tregut, për pasojë kjo ulje e TVSH-së penalizoi vetëm kompanitë e përpunimit të qumështit.
Në këtë situatë është i domosdoshëm rikthimi i TVSH-së së kreditueshme për blerjen e qumështit, idealisht 20%, por gjithsesi do të ishte e pranueshme edhe një normë tjetër. Ulja e TVSH-së në shitje.
Kjo politikë do të ishte në të njëjtën linjë, si dhe shtetet e tjera të rajonit, ku ka shumë kohë që ndiqet një politikë e tillë. Kjo politikë do të krijonte mundësinë e frenimit të rritjes së çmimeve dhe për pasojë, rritjen e fuqisë blerëse të konsumatorit”, shton z. Karanxha.
Rikthimi i skemës së kreditueshme të TVSh-së e propozuar nga KASH u mbështet edhe nga deputeti i PS-së, Erjon Braçe.
Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, gjatë miratimit nen për nen të buxhetit dhe paketës fiskale, deputeti Erjon Braçe kërkoi balancimin e skemës, nëpërmjet autofaturimit, jo rimbursim, por kreditim të TVSH-së 20% në grumbullim dhe 20% në përpunim, siç është propozuar nga KASH.
“Rregullojeni këtë, sepse është e padrejtë dhe po krijon probleme me grumbullimin e ullirit, domateve, qumështit, grurit”, pohoi ai. Kërkesa e tij nuk u mbështet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, shtoi se skemat e autofaturimit nuk mund të kthehen në versionin e mëparshëm, pasi informaliteti te fermerët është i lartë.
“Nga të dhënat e regjistruara rezultoi se për rimbursimin e fermerëve nevojiteshin 290 mln lekë, ndërkohë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkoi 4-fishin e vlerës.
Nga të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe nga ajo që kërkohej nga Ministria e Bujqësisë rezultoi diferencë shumë e madhe, për shkak të informalitetit”, pohoi ajo.
Në relacionin e projektligjit të Ministrisë së Financave për heqjen e skemës së kreditueshme të TVSh-së në paketën fiskale 2022 shpjegohej se prodhuesit bujqësorë objekt të kësaj skeme, nuk kanë marrë kompensimin, sikundër është parashikuar dhe ka synuar kjo skemë, duke e bërë këtë të fundit jofunksionale.
Heqja e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë u zëvendësua me subvencionim direkt të sektorit të bujqësisë, procedurë që sipas Ministrisë së Financave ishte më e lehtë për t’u monitoruar dhe për t’u kontrolluar.
Shoqata e Industrisë së Përpunuesve të Qumështit pohon se skema e subvencioneve për krerë bagëtie nuk po e ndihmon sektorin. Shoqata rekomandon se është e nevojshme të rimbursohet direkt çdo fermer 10 lekë për litër qumësht.
Nga 2019, ulja e TVSh-së së kreditueshme nga 20 në 9%, jo vetëm që rriti praninë e produkteve të importit që konkurronin me çmim më të lirë, por shtoi edhe informalitetin në sektor, pasi disa përpunues të vegjël nuk arrinin të mbijetonin.
Për reduktimin e informalitetit të sektorit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon se nga Ministria e Bujqësisë dhe AKU janë duke u marrë intensivisht për këtë fenomen.
“Nga takimet që ka pasur shoqata jonë me ta, jemi informuar për përgatitjen e të gjitha ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe për reagime konkrete të vazhdueshme në terren në luftën kundër informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit”.
Sa janë rritur çmimet e bulmetit?
Në vitin 2022, të gjithë operatorët e tregut kanë shtrenjtuar çmimet e produkteve të bulmetit 3 deri në 5 herë.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka, tha se deri tani, çmimet janë rritur 40 deri në 50% më shumë se vitin e kaluar, për shkak të rritjes së kostove dhe taksave.
Në tërësi, produktet e bulmetit, sipas listës së re në supermarkete për produktet e një prej kompanive janë shtrenjtuar sërish nga 1 tetori në nivelet 9 – 30%. Rritja më e lartë është shënuar te produkti i gjalpit dhe djathit të lopës.
Çmimi i gjalpit të lopës të markës së një prej kompanive përpunuese prej gati një muaj në supermarkete dhe dyqanet ushqimore është 1,500 deri në 1,600 lekë/kg nga 1,250 lekë një muaj më parë. Çmimi është shtrenjtuar 20-28% më shtrenjtë.
Për produktet e tjera të bulmetit si gjiza, çmimi është rritur 27%, nga 220 lekë, çmimi ka arritur 280 lekë; kaçkavalli i lopës është rritur 13% dhe ai i deles 9%, çmimi i djathit të lopës është rritur 28%, kremi i qumështit është rritur 50%.
Nga fillimi i muajit nëntor, çmimi i gjalpit u shtrenjtua edhe nga një tjetër operator. Taulant Pupa, administratori i kompanisë “Vita 2001”, shton se për shkak të rritjes të qumështit të lopës 75% nga fermerët është detyruar të shtrenjtojë çmimin e gjalpit rreth 18%. Çmimi i gjalpit nga kjo kompani po shitet 1,000 lekë për kg nga 850 lekë që shitej më parë.
Qumështi i lopës nga fermerët, nga 40 për litër po shitet 80 lekë. Rritja e këtij produkti nga ky operator është më e ulët se të tjerët, për shkak të çmimit më të ulët të energjisë që paguan kjo kompani dhe mospërdorimit të gazit të lëngshëm.
Pupa shton se, përveç kostos së qumështit, rritja e çmimit është ndikuar edhe nga kërkesa e lartë e gjalpit për përgatitjen e bakllavasë në prag të festave të fundvitit, në një kohë kur produkti i staxhionuar është në sasi më të ulët se vjet. Në tërësi, çmimet e produkteve të kësaj kompanie krahasuar me vjet janë rritur 50%.
Rritje tjetër të çmimeve prej operatorëve mund të ketë edhe për muajin mars, pasi pritet që me fillimin e prodhimit të qumështit të deles dhe dhisë, çmimi të jetë 20 deri në 30% më shumë.
Rritja e çmimeve po tkurr konsumin dhe fitimet e kompanive
Çdo rritje e çmimit të qumështit nga fermerët ka detyruar kompanitë përpunuese, tashmë të rënduara në kosto nga shtrenjtimi i energjisë, gazit dhe heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së, të rrisin çmimet e produkteve të bulmetit.
Rritja zinxhir e çmimeve, për pasojë të shtimit të kostove, ka krijuar rrethin vicioz, dhe efektet po ndihen te konsumi dhe fitimet e kompanive.
Drejtori i kompanisë ADG sh.p.k., Luis Ndreka, pohon se ka rënie 20% të konsumit. “Duke ditur që dy vitet e kaluara janë një bazë jo shumë e mirë krahasimi për konsumin, plus edhe prej faktit që ka shumë turistë, efektet u ndien pas muajit shtator.
Ndaj muajt e fundit realisht kemi ndier tkurrje të kërkesës për produktet tona me rreth 20% në volum, edhe pse në të ardhura mund të duken rreth 20% më shumë nga viti i kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve”.
Edhe sipas administratorit të “Gjirofarma”, çmimet e produkteve të bulmetit janë rritur vazhdimisht në vitin e fundit dhe, për pasojë, kjo ka sjellë uljen e konsumit.
Saimir Begaj, nga kompania “Erzeni”, thotë se rritja e çmimeve ka ardhur nga kostot e larta të çmimit të energjisë, gazit, naftës, lëndëve të para, si qumështi dhe produkteve ambalazhuese dhe heqja e skemës së kreditueshme dhe rritjes së taksave. “Konsumatori nuk mund të përballojë nivel më të lartë të çmimeve se ky aktuali.
Nëse kompanitë do të detyrohen të rrisin çmimet e produkteve të bulmetit përtej nivelit aktual, konsumi do të pësojë rënie drastike”, nënvizon Begaj.
Pavarësisht se fabrikat e qumështit po shesin produktet e tyre më shtrenjtë sesa vjet, administratori i kompanisë “Vita 2001”, Taulant Pupa, thotë se fitimet janë më të ulëta sesa vjet, pasi bulmeti po prodhohet me kosto më të lartë.
Edhe shtetet fqinje po e vuajnë krizën për qumësht, të ndikuar nga situata globale e shtrenjtimit të inputeve bujqësore pas fillimit të luftës.
Importet për janar-tetor kanë rënë 4,4% krahasuar me vjet nga të dhënat e doganave. Peshën më të madhe tek importet për periudhën janar-tetor 2022 e zënë ato nga Serbia me 41%, dhe më pas Italia 32%, dhe pjesa e mbetur, vendet e tjera.
Fabrikat e qumështit pohojnë se edhe në shtetet fqinje, qumështi po has vështirësi. Ardhja e stinës së dimrit dhe fillimi i ngricave pritet të ulë prodhimin e qumështit të lopës edhe nga Serbia.
Sipas të dhënave të doganave me bazë vjetore, importet e qumështit pluhur janë rritur 38% më shumë në vitin 2021 se viti 2020. Importet për periudhën janar-tetor 2022 janë ulur 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.
Serbia është shteti kryesor nga realizohen importet e qumështit, me 41% të totalit.
Çfarë kërkojnë prodhuesit
Përveç sugjerimeve për unifikimin e çmimit të energjisë elektrike, kthimin e skemës së kreditueshme të TVSh-së ose uljen e saj në shitje, drejtuesit e kompanisë “Gjirofarma” propozojnë që për lëndët e para të forcohen politika për mbështetjen e fermerëve, nëpërmjet subvencionimeve, kredive të buta dhe politikave të tjera që mund të ndiqen.
“Qëllimi duhet të jetë shtimi i numrit të bagëtive dhe krijimi i incentivave që njerëz të rinj të angazhohen te ky sektor jetik për vendin tonë”.
Administratori i kompanisë, Piro Karanxha, shton se të gjitha sugjerimet kanë si qëllim mbështetjen e prodhimit vendas, që nga fermeri e deri te përpunuesit e qumështit.
“Politika të tilla, në kushtet e krizës globale që përjetojmë janë të domosdoshme, për të shmangur falimentimin e një pjese të bizneseve që angazhohen te ky sektor, të cilat do të ishin me pasoja të pakthyeshme në aspektin afatmesëm, sipas mendimit tonë”.
Në tërësi, kërkesat në ndihmë të industrisë janë të njëjtat të sugjeruara vazhdimit nga Shoqata e Industrisë së Përpunuesve të Qumështit, si:
1.Mbështetje direkte 10 lekë për litër qumësht pa limit të dorëzuar nga blegtorët në pika të licencuara grumbullimi ose përpunimi;
2.Normë të reduktuar TVSH në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në 6%, si e kanë aktualisht edhe vendet e rajonit dhe vlerësimi i efekteve afatmesme nga ulja e normës së TVSH për industrinë e qumështit;
3.Luftë kundër informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore;
4.Heqja e akcizës së gazit në 6 lekë/litër për industrinë e përpunimit të qumështit. Në të gjithë rajonin, industria përpunuese është e përjashtuar nga akciza e gazit dhe i njëjti model duhet të implementohet edhe në vendin tonë;
5.Skema mbështetëse subvencioni për blegtorinë të ngjashme me të rajonit dhe konkretisht:
6.Mbështetje direkte 10,000 lekë për çdo krerë lopë, pa limit të numrit të krerëve.
7.Mbështetje direkte 2,500 leke për çdo krerë dele/dhi pa limit të numrit të krerëve
8.Mbështetje direkte 4,500 lekë për krerë lopë pa limit nëse e dërgon në thertore të licencuar
9.Mbështetje direkte 800 lekë për krerë dele/dhi pa limit, nëse e dërgon në thertore të licencuar.
10.Mbështetje direkte 20,000 lekë /ha pa limit për tokë të mbjellë nga fermat dhe blegtorët, në funksion të blegtorisë me misër, etj., (plus 10,000 lekë nëse përdoret farë e certifikuar);
Të ardhurat e kompanisë “ADG” (prej muajit mars 2022, emri i shoqërisë nga “Lufra” sh.p.k. u ndryshua në “ADG” sh.p.k.) në vitin 2021 janë ulur 1,5% krahasuar me 2020, ndërsa fitimet e së njëjtës periudhë janë ulur 6,5%.
Të ardhurat e kompanisë “Gjirofarma”, sipas bilancit në QKB, janë rritur 4%, ndërsa të ardhurat janë reduktuar 1% në vitin 2021 në raport me vitin e kaluar.
Rritje të ardhurash në vitin 2021 ka pasur edhe operatori “Mireli”. Në vitin 2021, të ardhurat janë shtuar 27%, ndërsa fitimet e kompanisë ishin 13% më të larta.
(Kompania “Erzeni” dhe “Soal” ende nuk kanë dorëzuar në QKB bilancet zyrtare).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.