Katër ekipe në kërkim të trofeut të Kupës së Botës, të mbështetur në 4 liderë që bien në sy nga të tjerët. Natyrisht, asnjë nuk e fiton i vetëm Botërorin, por historia ka treguar se skuadrat mbështeten edhe tek individët, që rastis të jenë edhe kapitenë.
Pelé ka fituar tre Kupa Bote, Maradona një, për të mos folur për legjenda të tjera. Tani pyetja që shtrohet është: a mund ta fitojë Messi? Ky është shansi i fundit i një historie të mrekullueshme që i mungon kapitulli më i bukur.
Leo ka hyrë në historinë e Botërorit me thjesht prezencën e tij, pasi nëse i luan dy ndeshjet e fundit në Katar, shkon në 26 dhe bëhet me më shumë, duke kaluar Lotar Mateus. Të gjithë projektorët janë drejtuar tek ai. Por në krahun tjetër nuk mbetet shumë pas rivali Luka Modric. Mbresëlënëse është evolucioni i kroatit.
Me 90 prekje për lojë, Modric tërheq të gjitha strategjitë e kombëtares kroate. Mesfushori kroat po habit të gjithë me formën dhe frymën që përcjell në ekip, për ta çuar edhe njëherë tjetër ekipin në finale, si katër vite më parë. Messi-Modriç është një duel liderësh, kapitenësh, kushdo që fiton shkruan historinë.
Në sfidën tjetër, pavarësisht se me diferenca të mëdha është përballja Mbappe-Hakimi. Kylian nuk ishte në ditën e tij më të mirë në çerekfinale ndaj Anglisë, por me 5 gola në Botërorin e dytë në karrierë, padiskutim që mbetet i frikshëm dhe pikë referimi për Francën e sotme, me shumë mundësi edhe për të ardhmen.
Ndërsa Maroku nuk ka një lider të padiskutueshëm krahasur me 3 ekipet e tjera gjysmëfinaliste. Mund të spikasin disa, si Ziyech, Hakimi, Amrabat apo En Nesiry, por mbështetet te grupi, te shpirti dhe grinta. A do të mjaftojë kjo? E vështirë, por jo e pamundur.