MENU
klinika

Moska apelon përmes videove propagandistike!

Frika për mobilizim shtesë të rekrutëve në Vitin e Ri

18.12.2022 - 10:01

Moska ka filluar një fushatë të re për të inkurajuar rusët që të regjistrohen në forcat e armatosura dhe të luftojnë në Ukrainë, pavarësisht se Kremlini ka mohuar se ka nevojë për më shumë rekrutë.

Në një përpjekje për të tërhequr më shumë vullnetarë në front, videot propagandistike ruse të postuara në rrjetet sociale në ditët e fundit po përpiqen të tërheqin rusët përmes narrativave të patriotizmit, raporton CNN.

Një nga videot, e postuar më 14 dhjetor, shfaqet një të ri i cili zgjedh të luftojë në vend që të festojë me miqtë e tij dhe më pas i befason të gjithë duke i blerë vetes një makinë me paratë që fitoi nga lufta.

Në një video tjetër, të postuar më 15 dhjetor, ish e dashura e një ushtari është e impresionuar me guximin e tij dhe i lutet që të kthehet së bashku me të. Një shembull tjetër tregon një burrë të moshës së mesme duke lënë punën e fabrikës që nuk e paguan mjaftueshëm për të nënshkruar një kontratë ushtarake dhe për të shkuar në front.

Gjatë një takimi me nënat e të mobilizuarve në nëntor, presidenti rus Vladimir Putin tha se është më mirë të vritesh duke luftuar për atdheun sesa të pish vodka.

Në fund të shtatorit, Putin njoftoi një mobilizim ushtarak “të pjesshëm”, ku më shumë se 300,000 njerëz në të gjithë Rusinë u mobilizuan pasi lufta e saj në Ukrainë nuk arriti të përparonte.

Numri i saktë i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur gjatë luftimeve në Ukrainë nuk është bërë publik.

Mijëra burra janë larguar nga Rusia për të shmangur rekrutimin dhe frika për një mobilizim të dytë në Vitin e Ri po rritet.

Në fillim të këtij muaji, duke iu drejtuar një konference shtypi pas një samiti të vendeve euroaziatike në Bishkek, Kirgistan, Putin u përpoq të siguronte publikun se nuk kishte plane për mobilizim shtesë.