Janë disa momente në jetë që prodhojnë një “déjà vu”, që do të thotë përshtypjen e përjetimit në të shkuarën e të njëjtës ndjesi. Të dëgjosh sot Sali Berishën të rreshtojë “provat” e tij për të akuzuar Edi Ramën apo Endri Fugën se kanë vënë një të çmendur për ta qëlluar në fytyrë me grusht, më ridërgoi në natën e 12 shtatorit 1998, kur me të njëjtin ton të sigurtë gënjente duke akuzuar Fatos Nanon se kishte organizuar vrasjen e Azem Hajdarit. Pastaj koha tregoi se, jo vetëm Fatos Nano nuk kishte asnjë përgjegjësi, por që vrasja ishte organizuar në korridoret e PD-së nga ish-trupërojat e tij.
Toni prej inkuizitori me të cilin sot akuzonte Ramën si organizator të sulmit ndaj tij, është i njëjti me të cilin në 21 janar 2011 gënjente duke akuzuar të njëjtët demonstrues socialistë se kishin qëlluar me çadra pistoletë kundër protestuesve të tjerë. Atëherë nuk u deshën vite, por vetëm pak orë për të treguar falë një video që kishte filmuar një nga kameramanët e mi, se vrasjet ishin bërë nga Garda e Sali Berishës. I vënë përballë provave flagrante ai pastaj e pranoi masakrën me krenari, sepse, nëse do të kishin qëlluar protestuesit, ishte një krim i shëmtuar, ndërsa, meqë kishin qëlluar njerëzit e tij, ishte një xhest heroik.
Gënjeshtrat që dëgjuam sot rreth sulmuesit të tij, janë identike me gënjeshtrat e thëna të nesërmen e masakrës në Gërdec, kur foli deri edhe në “sabotim të huaj”. Pastaj u zbulua se në atë masakër ishin përfshirë krerë të qeverisë së tij dhe shokët e djalit të tij bashkë me djalin si drejtues dhe se tragjedia nuk lindte nga asnjë sabotim i huaj, por vetëm nga neglizhenca kriminale e njerëzve të tij.
Lista e gënjeshtrave të Sali Berishës është e pafundë, siç janë të pafundme krimet me të cilat është njollosur dhe që është përpjekur gjithnjë t’i maskojë duke ja vënë të tjerëve fajin që nuk kishin. Edhe sot Berisha gënjeu, siç dëshmoi nëna e sulmuesit dhe mjeku që e ka nën kurë: një i ri i mjerë me mendjen e humbur mes psikoilaçeve dhe antiepileptikëve, që Berisha e përshkroi si një të infiltruar të policisë kriminale nën koperturë, i pajisur deri me çertifikatë false mjeksore për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm në mision. Ai i ri me të cilët shokët tallen në video në Tik Tok (siç tregohet në videot që qarkullojnë në rrjet) u afrua duke u shtirur sikur po filmonte Berishën duke përdorur dorën si telekamera, dhe truprojat e ish-presidentit nuk bënë asgjë për ta bllokuar. Vetëm pasi goditi, e rrahën deri në gjakosje. Po të kishte qenë një eskortë e vënë nga Ministria e Brendshme, Berisha do t’i akuzonte edhe ata truproja si pjesë e një komploti, por meqë i ka zgjedhur vetë, atëherë komploti është i Edi Ramës.
Ne, ashtu si e gjithë pjesa e qytetëruar e Shqipërisë, e dënojmë atë akt dhune të ushtruar kundër një të moshuari që ëndërron akoma të bëjë revolucion pa patur as forcën dhe as mbështetjen e duhur, një dhunë e ushtruar nga një i ri i sëmurë, i cili meriton të njëjtën mëshirë. Një mëshirë që Sali Berisha nuk ka treguar kurrë për asnjë kundërshtar të rrahur deri në gjakosje, dhe as për ata të vrarë, ndonjëherë me urdhërin e tij, ndonjëherë thjeshtë nën indiferencën e tij të pështirë. Sepse për Berishën vlen ende ligji i xhunglës, ku luftohet vetëm për të vetën mbijetesë dhe pikë.
Janë tashmë 30 vite që Sali Berisha gënjen për të mbrojtur veten duke provuar të aneksojë kundërshtarët e tij. Duke e parë sot në krye të një revolicioni të lajmëruar ku askush nuk e ndoqi, veç një të riu të çmendur, kuptohet se çfarë e ka prodhuar urrejtjen e tij. Nuk duam t’u besojmë atyre cinikëve që sot betohen se ai grusht që ia skuqi njërën faqe, në fakt ia shpëtoi fytyrën nga falimentimi i protestës “madhështore”.