Hetimet për vrasjen e biznesmenit Rakip Rroli, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2021 në fshatin Sanxhak të Kurbinit, nuk janë kryer siç duhet.
Në këtë konkluzion ka dalë Gjykata e Kurbinit, e cila pas disa seancash gjyqësore paraprake vendosi që të rikthejë çështjen për plotësim hetimesh, duke i lënë disa detyra organit të akuzës për të plotësuar. Prokuroria do të ketë më shumë se 1 muaj kohë që të reflektojë në lidhje me pretendimet e gjykatës e më pas të dërgojë dosjen sërish për gjykim. Në lidhje me këtë ngjarje janë marrë të pandehur dy persona në lidhje, shtetasit Llej Lika në rolin e ekzekutorit dhe Klaudia Gjexhaj si bashkëpunëtor në krim.
Njëherësh Prokuroria ka vendosur të pushojë ndjekjen penale për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”, ndaj babait të Llej Likës, Skënder Likës, dhe minorenit D. Gega, të cilët u proceduan pas ngjarjes. Referuar dosjes hetimore, autori i vrasjes së Rakip Rrolit ka pranuar se ka qëlluar ndaj bashkëfshatarit të tij në 10 dhjetor 2021 në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Sipas tij, ngjarjen e ka kryer në shenjë hakmarrje, pasi Rakip Rroli, së bashku me dy djemtë dhe shokët e tyre në muajin korrik 2021, e kishin rrahur me sende të forta në qendër të fshatit. Si pasojë e goditjeve, Llej Lika, u ka treguar prokurorëve se personat i kishin thyer dy këmbët, duke sjellë probleme në ecje.
ÇFARË THA AUTORI
Autori në dëshminë e tij, ka treguar se për kryerjen e vrasjes së Rakip Rrolit, ka bashkëpunuar me shokun e tij, Klaudio Gjexhaj. Ky i fundit fillimisht ka treguar se ka qenë rastësisht në makinën e përdorur në vrasje, por pas analizimit të pamjeve filmike ka rezultuar dhe provuar nga dëshmia e Likës, se Gjexhaj ka qenë shofer i “Benz”-it që u përdor në këtë krim.
Lika ka treguar se mëngjesin e 10 dhjetorit 2021 kanë mbajtur në mbikëqyrje shtëpinë e Rakip Rrolit, me shpresën e daljes së tij ose djemve nga shtëpia. Në kamerat e sigurisë, policia ka konstatuar se në ikje e sipër, në “Benz”-in e përdorur në vrasje janë dy persona, Klajdi Gjexhaj dhe Llej Lika. Ndërsa sipas dëshmisë së vetë Llej Likës dhe banorëve të zonës, pas kryerjes së krimit, Lika ka shkuar në vendin ku ishte dhunuar në 8 korrik 2021 nga Rakipi dhe dy djemtë e tij, duke qëlluar një breshëri automatiku në ajër dhe bërtitur me zë të lartë se e kishte marrë hakun. Pas ngjarjes së rëndë dhe largimit të autorëve, policisë së Lezhës i është dashur të përdorë pajisjen gjurmuese “IMSI-Catcher”, për lokalizimin dhe arrestimin e Llej Likës dhe Klaudio Gjexhaj.