MENU
klinika

Do flitet për çështjen e detit?

Greqia ‘zbarkon’ në Shqipëri

20.12.2022 - 12:23

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm helen Nikos Dendias këtë javë do të vizitojnë Shqipërinë. Sipas mediave greke, kreu i qeverisë Mitsotakis do të zhvillojë vizitën e anuluar pak kohë më parë në fshatrat me minoritet grek në vendin tonë, në Himarë, Dropull etj.

Mitsotakis pritet që të vijë në Shqipëri të enjten ose të premten, por siç shkruajnë mediat edhe pse kishin rënë dakord nuk dihet nëse Rama do të shoqërojë homologun e tij.

Ndërkohë në kuadër të një turi ballkanik, ministri i Jashtëm Nikos Dendias do vijë në Shqipëri të mërkurën. Ai do të takohet me homologen shqiptare, Olta Xhaçka, ndërkohë që është planifikuar edhe një takim me kreun e qeverisë Edi Rama.

Pala greke pret që të ketë përparim në çështjen e nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët, në mënyrë që të dy vendet të mund të apelojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre për çështjen e delimitimit të zonave detare.

Hapa të rëndësishëm në këtë drejtim janë bërë gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Shqipëri për Samitin e Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor që u zhvillua në fillim të dhjetorit në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do të vizitojë zonat minoritare

Mitsotakis vjen në Shqipëri më 22 dhjetor