Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, ka publikuar në rrjetet sociale imazhin e ikonës së Shën Dhimitrit, e cila është në proces restaurimi.
Kjo vepër vjen nga kisha e Shën Gjergjit e fshatit Kamenicë të Korçës.
Ikona e Shën Dhimitrit është pikturuar nga Joan Zografi, nga Dardha, në vitin 1864.
Në foto dallohet qartë rezultati që ka dhënë restaurimi, duke nxjerrë më në pah detajet që Joan Zografi ka realizuar për këtë imazh të Shën Dhimitrit.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar përmban një nga koleksionet më të pasura të Mesjetës, të Artit Bizantin dhe PostBizantin.
Ky muze përmban 7500 objekte artistike prej guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera, kostume folklorike dhe objekte të tjera që tregojnë antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare. Rreth 1200 objekte shumica me përkatësi kohore nga epoka bronzit dhe epokës së hekurit, dhe rreth 6000 janë ikona.