MENU
klinika

E subvencionuar nga qeveria

Instalimi i paneleve diellorë për ngrohjen e ujit, gati thirrja e dytë

27.12.2022 - 11:00

Pas mbylljes së thirrjes së parë për familjet e interesuara në instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit, subvencionuar nga qeveria në kuadër të krizës së energjisë, duket se interesi ka bërë që edhe hapat për thirrjen e dytë të kalojnë shpejt.

Agjencia për Eficiencën e Energjisë mbylli të hënën e kësaj jave procedurën për përzgjedhjen e bizneseve që ofrojnë panele diellorë për ngrohjen e ujit të cilët janë të interesuar për t’u bërë pjesë e kësaj skeme. Në thirrjen e parë ishin të paktën shtatë kompani që shfaqen interes duke ofruar alternativat e tyre mbi panelet diellorë për ngrohjen e ujit.

Kompanitë prezantuan një ofertë standarde me kapacitet të kufizuar ose disa oferta nga kapaciteti maksimal në një kapacitet më minimal. Përzgjedhja e kompanive me ofertat më të përshtatshme pritet që më pas t’i hapë rrugë hapjes së thirrjes për familjarët që sikurse është deklaruar më herët do të nisë në janar.

Në fazën e parë ishin 2000 familje të cilat përfitojnë nga kjo skemë subvencionimi ndërkohë që edhe në thirrjen e dytë numri i familjeve pritet të jetë po kaq.

Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë synon subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë. Kjo masë synon: Reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar; Reduktimin e emetimeve të CO2.

Kriza e energjisë e nisur nga gushti i vitit të kaluar bëri që Shqipëria të ekspozohet ndjeshëm në çmimet e kripura në bursa. Vetëm gjatë vitit 2022 shpenzimet për blerje energjie kanë kushtuar 450 milionë euro ndërkohë që vetëm se fundmi vendi ka nisur të eksportojë për shkak të përmirësimit të situatës hidrike por edhe nevojës për të mbajtur nën kontroll nivelet e liqeneve në kaskadën e Drinit.

Për shkak të situatës së vështirë qeveria njoftoi marrjen e disa masave ku ndër të tjera vendosjen e fashës 800 kwh për familjarët si një mekanizëm për të nxitur kursimin. Kjo masë nuk u zbatua në asnjë nga muajt e caktuar ndërkohë që masa tjetër ishte ajo e subvencionimit të paneleve për ngrohjen e ujit e cila tashmë është në prag të çeljes së fazës së dytë. /Monitor

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN