Që nga muaji shtator, stabiliteti i brishtë i Kosovës i krijuar që në vitin 1999, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO, është bërë gjithnjë e më i pasigurt. Përleshjet midis serbëve etnikë dhe forcave të sigurisë së Kosovës. bënë që muajin e kaluar ushtria serbe të kalonte në gatishmëri të lartë. Disa zyrtarë të lartë serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç, deklaruan se ushtria serbe mund të vendoset në veri të Kosovës për të mbrojtur serbët etnikë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë atje.
Natyrisht, Rusia ka shumë stimuj për ta provokuar këtë krizën. Një përkeqësim i sigurisë rajonale do të krijonte më shumë pengesa në lidhje me aspiratat e Serbisë për anëtarësim në BE, që në skenarin më optimist mendohet të ndodhë në vitin 2025.
Mbështetja e Perëndimit ndaj Kosovës ka sabotuar historikisht përpjekjet e Serbisë për integrim evropian, dhe 51 për qind e serbëve të anketuar nga kompania “Demostat” me seli në Beograd në qershor 2022 thanë se do të votonin kundër anëtarësimit në BE nëse mbahet një referendum kombëtar mbi këtë çështje.
Por duke i përshkallëzuar tensionet, Rusia gjithashtu mund të parandalojë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe NATO-s në rajon, dhe të zbehë potencialisht presionin perëndimor mbi forcat ruse në Ukrainë duke i devijuar burimet nga Kievi në Ballkan. Përgjatë gjithë viteve 1990, NATO mori një rol udhëheqës në shpërbërjen e Jugosllavisë, e perceptuar si e dominuar nga Serbia.
Ndërsa Perëndimi mbështeti pavarësinë e Bosnjës dhe Kroacisë dhe autonominë e Kosovës, Serbia mbështetej nga Rusia. Këto politika prodhuan një tension të konsiderueshëm midis NATO-s dhe Rusisë, me pushtimin e aeroportit të Prishtinës nga Kremlini në vitin 1999, duke sjellë një nga përplasjet më të tensionuara midis Rusisë dhe Perëndimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Por në vitet 1990 Rusia ishte shumë e dobët për ta mbështetur si duhet Serbinë. Ndaj pasi presidenti i atëhershëm jugosllav Sllobodan Millosheviç u rrëzua nga pushteti në vitin 2000 dhe forcat ruse u tërhoqën nga Kosova në vitin 2003, elitat politike serbe nisën të fokusoheshin më shumë tek integrimi i kujdesshëm në Evropë, duke mbajtur afër edhe SHBA-në.
Por në të njëjtën kohë, Serbia dhe Rusia kultivuan marrëdhënie më të ngushta përmes lidhjeve ekonomike në rritje, duke përqafuar trashëgiminë e tyre të përbashkët ortodokse sllave, si dhe duke ndarë pakënaqësinë ndaj rolit të NATO-s në punët e tyre. Territoret nën kontrollin serb vazhduan të ndaheshin në vitet 2000.
Mali i Zi u shkëput paqësisht në vitin 2006, ndërsa Kosova shpalli pavarësinë në 2008. Por në dallim nga rastet e tjera, Kosova nuk arriti të fitojë njohje universale. Gati gjysma e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së refuzoi ta njohë pavarësinë e Kosovës, mes tyre vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.
Moska ishte fuqishëm kundër pavarësisë së Kosovës. Por 6 muaj më vonë, përmendi “precedentin e Kosovës” për të pushtuar Gjeorgjinë, dhe njohu territoret separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut si të pavarura. Aktualisht Kremlini po përdor të njëjtën skemë për të justifikuar mbështetjen e tij për territoret separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainë.
Dhe në kushtet e një ngërçi në fushën e betejës në Ukrainë, Kremlini po përpiqet të nxisë trazira të reja në Ballkan, duke shfrytëzuar ndjenjat nacionaliste serbe. Nuk ka asnjë dyshim se ato do të ridrejtonin larg Ukrainës një pjesë të përpjekjeve politike, ekonomike dhe ushtarake perëndimore.
Ndikimi i Rusisë mbi Serbinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, dhe politikanët serbë janë bërë më agresivë në lidhje me çështjen e veriut të Kosovës. Ndonëse tregtia e përgjithshme midis Rusisë dhe Serbisë është e papërfillshme në krahasim me BE-në, Rusia siguron çerekun e naftës së importuar në Serbi. Po ashtu kompanisë ruse Gazprom bleu në vitin 2009 51 për qind të aksioneve të kompaninë kryesore të naftës dhe gazit të Serbisë, Naftna Industrija Srbije (NIS).
Vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka penguar një njohje më të gjerë ndërkombëtare të Kosovës, duke dëshmuar dobinë e Moskës si aleate diplomatike. Ndërkohë, Putin është bërë udhëheqësi ndërkombëtar më i admiruar i serbëve. Jo pak tubimet pro-Putin dhe pro-ruse janë mbajtur në Serbi që nga pushtimi i Ukrainës.
Sipas sondazheve të fundit, pothuajse 70 për qind e serbëve e konsiderojnë NATO-n përgjegjëse për konfliktin aktual. Balancimi i popullaritetit të Putinit, dhe i marrëdhënieve të Serbisë me Evropën ka qenë një detyrë shumë e vështirë për presidentin serb Vuçiç. Edhe pse ai e dënoi pushtimin rus të Ukrainës, refuzoi të zbatonte sanksione kundër Kremlinit, duke e detyruar kancelarin gjerman Olaf Sholc të deklaronte publikisht në qershor se Vuçiç duhej të bënte një zgjedhje midis Evropës dhe Rusisë.
Por vetëm një muaj më parë, udhëheqësi serb kishte nënshkruar një marrëveshje të re 3-vjeçare me Rusinë për blerjen e gazit. ndërsa në shtator ra dakord që të “konsultohet” me Moskën për çështjet e politikës së jashtme. Zhvillime të tjera, të tilla si dyfishimi i fluturimeve nga Moska në Beograd, kanë treguar gatishmërinë e Serbisë për ta ndihmuar Rusinë në shmangien e sanksioneve perëndimore.
Akoma më shqetësuese për zyrtarët perëndimorë janë përpjekjet e Rusisë gjatë dekadës së fundit për të ndryshuar ekuilibrin ushtarak midis Serbisë dhe Kosovës. Një “qendër humanitare ruse” e vendosur në qytetin serb Nish, që ndodhen pranë kufirit me Kosovën, e hapur që në vitin 2012, dyshohet se është në fakt një bazë e fshehtë ushtarake ruse e ndërtuar enkas nga Kremlini për të monitoruar interesat e SHBA-së në Ballkan.
Përveç kësaj, Serbia ka shtuar importet e armatimeve ruse, ndërsa stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Rusisë, Bjellorusisë dhe Serbisë (“Vëllazëria Sllave”) janë zhvilluar çdo vit që nga viti 2015. Aktorët jo-shtetërorë të mbështetur nga Rusia, janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në Serbi.
Në vitin 2009, kompanitë private ruse ushtarake dhe të sigurisë, si dhe organizata që kanë si anëtarë ushtarakë veteranë rusë, filluan të zhvillojnë, në koordinim me homologët serbë, kampe rinore ushtarake në Zllatibor të Serbisë. Këto u panë si përpjekje për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të luftëtarëve, ndaj u mbyllën përfundimisht nga policia serbe në vitin 2018.
Banda e motoçiklistëve rusë “Ujqërit e Natës”, e cila ka luajtur një rol kryesor në pushtimin e Krimesë në vitin 2014 dhe trazirat që pasuan në Ukrainë, ka krijuar një degë në Serbi, dhe ka kryer për disa vite udhëtime në këtë vend. Dhe këtë muaj, në Serbi u hap një “qendër kulturore” nga kompania ushtarake private ruse, Grupi Vagner, që po lufton aktualisht në Ukrainë. Zyrtarisht synimi është “forcimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Serbisë me ndihmën e “fuqisë së butë”.
Përdorimi i këtyre forcave për të organizuar një kryengritje të nivelit të ulët në Kosovë do të shkaktonte një alarm të madh në NATO dhe BE. Por përpjekjet e Rusisë për të ndezur flakët e nacionalizmit serb do të drejtohen gjithashtu drejt Bosnje Hercegovinës. Milorad Dodik, president i Republika Srpska është bërë një aleat gjithnjë e më shumë me Kremlinin dhe ka ndërmarrë hapa më të mëdhenj drejt shpalljes së pavarësisë së rajonit të tij nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Aktualisht forcat e sigurisë së Republika Srpska janë të mirë-pajisura me armatim rus, ndërsa Moska ka mbështetur ngritjen dhe trajimin e grupeve paraushtarake të Republikës Srpska. Një milici serbo-boshnjake i quajtur “Nderi serb” besohet se është trajnuar në “qendrën humanitare ruse” në Nish, ndërsa dega serbe e “Ujqërve të Natës” kanë mbajtur vazhdimisht tubime nacionaliste.
Roli i shërbimeve sekrete ruse dhe i nacionalistëve serbë në tentativën për grusht shteti në Malin e Zi në vitin 2016, që synonte të pengonte anëtarësimin e këtij vendi në NATO, tregon se sa larg mund do të shkojë Moska për të arritur qëllimet e saj. Prandaj, zyrtarët perëndimorë duhet të jenë të kujdesshëm ndaj potencialit destabilizues të Rusisë në rajon.
Përshkallëzimi i konflikteve të pazgjidhura ballkanike, është tani një armë kryesore në përpjekjet e Kremlinit për të penguar integrimin e rajonit në Evropë, dhe për të lehtësuar presionin perëndimor nga lufta e Rusisë me Ukrainën.