Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sjell në fokus Monumente Kulture si kujtesë për vlerat e mrekullueshme të pasurisë sonë kulturore dhe pse jo si një alternativë ndryshe për të kaluar fundjavën, duke i vizituar ato.
IKTK sjell në vëmendje Ad Quintum, një stacion rrugor përgjatë Via Egnatia.
Ad Quintum është një kompleks arkitektonik i përbërë nga nimfeu dhe termat, i ndërtuar në shekullin e II dhe i përdorur si stacion rrugor përgjatë Via Egnatia. Stacionet rrugore ishin vende pushimi, ku udhëtarët apo tregtarët, mund të ndalonin për kaluar natën.
Stacioni rrugor Ad Quintum ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kombëtare Elbasan-Durrës (Sh.7).
Ka një planimetri drejtkëndëshe, me sipërfaqe 130 m2, me këto mjedise: dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë, mjedisi i nxehtë, dhe ai me ujë të ftohtë. Në brendësi ishte dhoma e zhveshjes, që shërbente për lidhjen e mjediseve. Furnizimi me ujë bëhej me anë të kanaleve nga një depozitë mbi murin e nimfeut dhe largoheshin me një sistem tjetër kanalizimi.