Kroacia triumfon në “finalen” e vogël, duke mposhtur 2-1 Marokun dhe marrë medaljen e bronzit në Botërorin e Katarit. Një sukses mëse i merituar i kombëtares ballkanase, që arrin të dalë me kokën lart përsëri nga një Kupë Bote.
Kroacia e nis me ritëm të lartë dhe shpërblehet në minutën e shtatë. Pas një goditje dënimi, Modric fut një top në zonë, Perisic e kthen me kokë në qendër dhe po me kokë Gvardiol gjen cepin e portës, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Bono.
Por ende pa u shuar festa e kroatëve, marokenët barazojnë. Kros në zonë, një nga kroatët devijon me kokë dhe nga kjo përfiton Dari, i cili me kokë pak metra larg portës nuk gabon. 1-1 në minutën e nëntë ta ndeshjes.
Më pas është Kroacia që ngulmon për të kaluar sërish në avantazh dhe momenti më i mirë është në minutën e 24-t, Modric gjuan me të majtën, por portieri maroken pret në dy kohë. Gjithsesi, goli do të vinte në 42’, kur Orsic me një hark mbresëlënës arrin të realizojë.
Ballkanasit e nisin mirë edhe pjesën e dytë, duke krijuar raste të tjera, ndërsa afrikanët janë të pafuqishëm kur dalin para. Më pas lodhja ndihet te të dyja skuadrat, që kryejnë edhe zëvendësime të detyruara.
Minuta e 75-të sjell dy raste të dyshimta, fillimisht kroatët kërkojnë penallti e pastaj marokenët, por gjyqtari nuk akordon asnjërën. Kroacia pati një shans të artë pak para fundit, por Kovacic gabon në mënyrë të pabesueshme. Gjithsesi, të besuarit e Dalic mbrojnë fitoren deri në fund.