Eliminohet Brazili, Kroacia kalon në gjysmëfinale të Kupës së Botës për të dytën herë radhazi. Dhe sërish ballkanasit u falen penalltive për të arritur këtë sukses, teksa tregohen mjeshtëra në ekzekutim dhe me portier shpëtimtar. Nga ana tjetër, Seleçao edhe pas 20 vitesh nuk arrin të rikthehet në majë të botës.
Goli historik i Neymar, i cili ka barazuar rekordin e golave të Pele me 77 si golashënuesi më i mirë i historisë së Brazilit, nuk e ka ndihmuar Seleçao-n të shmangë disfatën. Goli i barazimit i Petkovic, pritjet e Livakovic dhe gabimi i Marquinho-s nga pika e bardhë kanë ndëshkuar brazilianët.
Brazilianët kërcënuan portën e kroatëve në minutën e 20-të. Vinicius është futur në zonën e rreptësisë dhe ka goditur, por është ndalur nga mbrojtësi Gvardiol. Pjesa e parë ka pa raste dhe mbyllet 0-0.
Në fakt 90 minutat mbyllen me këtë rezultat. Për t’u veçuar në minutën e 47-të Richarlison godet, por pret Livakovic. Portieri kroat ishte protagonist edhe në minutën e 76-të të ndeshjes, që i ka mohuar një gol që dukej i sigurt Neymar-it.
Ndeshja është zhbllokuar në fundin e shtesës së parë. Neymar ka tundur rrjetën pas një aksioni spektakolar të brazilianëve. Ky është goli i 77-të me fanellën e Brazilit, i cili ka barazuar Pele në kreun e renditjes së golashënuesve më të mirë të Seleçao-s.
Kroacia është kundërpërgjigjur në minutën e 117-të të shtesës së dytë dhe ka arritur të barazojë ndeshjen me një gol të bukur të shënuar nga Petkovic. Nga penalltitë kroatët edhe njëherë tjetër tregohen mjeshtëra, shënojnë 4 gola, ndërsa brazilianët gabojnë 2 herë.