MENU
klinika

Dita e 15-të e barrikadave në veri të Kosovës

Kurti paralajmëron takim me komandantin e KFOR-it

24.12.2022 - 21:19

Situata në veriun e Kosovës vijon të jetë problematike. Sot është dita e 15-të prej kur serbët vendosën barrikada nëpër rrugë, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiç. Për heqjen e këtyre barrikadave, KFOR-i ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut, ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaron se barrikadat në pjesën veriore të Mitrovicës duhet të hiqen sa më shpejtë të jetë e mundur.

Në një thirrje për qetësim të situatës, KFOR i ka kërkuar Kosovës kohë që të zgjidhte problemin e heqjeve të barrikadave dhe të gjente zgjidhjen efikase për të dyja palët në konflikt. Nisur nga deklarata e fundit e Rrustemit, largimi i barrikadave është një çështje që duhet zgjidhur menjëherë pasi tensionon më shumë situatën dhe mund të krijojë hapësirë për problemë të tjera dhe agravim të situatës. Madje Rrustemi ka thënë se nëse kjo çështje është ë pazgjidhshme për KFOR-in, atëherë do e zgjidhë Kosova.

“Duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë: Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog. Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, shkruan Rustemi.