MENU
klinika

Analiza

Ky ishte një vit i mundimshëm për Putinin dhe ‘admiruesit’ e tij…

20.12.2022 - 09:00

Nga Gideon Rachman

Vtin e kaluar, po përfundoja një libër.

Në një përpjekje për të përfunduar Epokën e Njeriut të Fortë me një notë optimizmi të kualifikuar, shkrova: “Sundimi i autokratëve është një formë qeverisjeje në thelb me të meta dhe e paqëndrueshme. Në fund të fundit do të rrëzohet… Por mund të ketë shumë trazira dhe vuajtje përpara se të mbetet përfundimisht në histori.”

Dy muaj më vonë, Vladimir Putin pushtoi Ukrainën.

Vendimi i tij ishte një demonstrim i të metave të sundimit të autokratëve.

Pas  disadekadash në pushtet, udhëheqësit shpesh bëhen të prirur ndaj megalomanisë ose paranojës dhe të preokupuar nga vendi i tyre në histori.

Ata zakonisht kanë eliminuar të gjitha burimet e kundërshtimit. Nëse ata vendosin që do të ndjekin një rrugë katastrofike, askush dhe asgjë nuk i ndalon.

Putini erdhi në pushtet në natën e Vitit të Ri 1999 dhe krijoi një stil të ri të udhëheqjes së një njeriu të fortë për shekullin e 21-të – duke pozuar me gjoksin jashtë për fotografët.

Pas qëndrimit prej ”maçoje”, kishte dhunë të vërtetë.

Vladimir Putin hits back at G7 leaders' topless photo jibes - BBC News

Kundërshtarët vendas u burgosën, u internuan ose u vranë. Fushata brutale ushtarake u zhvilluan në Çeçeni dhe Siri. Udhëheqësi rus u pozicionua gjithashtu si udhëheqësi i një reagimi global kundër liberalizmit perëndimor, duke i thënë Financial Times në 2019: “Ideja liberale është vjetëruar”.

Udhëheqësit e tjerë që e admironin dolën në skenë. Klubi i ”tifozëve” të liderit rus përfshinte Xi Jinping nga Kina, Rodrigo Duterte nga Filipinet, Mohammed bin Salman nga Arabia Saudite, Viktor Orbán i Hungarisë dhe Donald Trump.

Ish-presidenti amerikan madje i përshkroi kërcënimet e Putinit ndaj Ukrainës si një akt gjenial, vetëm disa ditë para se Rusia të pushtonte vendin.

Por ky kult i Putinit nuk do t’i mbijetojë debaklit brutal të Ukrainës.

Stili i lidershipit të njeriut të fortë gjithashtu mund të humbasë një pjesë të joshjes së tij globale.

Regjimet autoritare që mbështesin Putinin kanë pasur gjithashtu një vit të keq.

Teokracia iraniane, e cila i erdhi në ndihmë Rusisë me dronë ushtarakë, po përballet me protestat më të rrezikshme popullore që nga revolucioni iranian i vitit 1979. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, është 83 vjeç dhe i sëmurë. Vdekja e tij do të shtojë rrezikun për regjimin.

Sistemet jodemokratike gjithmonë luftojnë me tranzicionet politike.

Në Kinë, Xi ka siguruar gjithçka për një mandat të tretë në detyrë dhe po kërkon të sundojë përjetë. Por centralizimi i tij i pushtetit ka çuar në një përkeqësim të ndjeshëm të qeverisjes kineze.

Xi ka gabuar në politikën e jashtme dhe ekonomike – dhe politikat e tij të paqëndrueshme zero-Covid provokuan protesta të paprecedenta.

Trump, një autoritar instinktiv, së fundmi lavdëroi Xi për qeverisjen e Kinës me “një grusht të hekurt”.

Por vetë flluska e Trump duket se po shfryhet me shpejtësi, pas performancës së dobët të partisë republikane në zgjedhjet afatmesme. Rënia e tij tregon një dallim thelbësor midis politikave të njerëzve të fortë në demokraci dhe në sistemet autoritare.

Në vendet ku institucionet demokratike mbeten të fuqishme, një ”njeri i fortë” ‘dënohet’ nga kutitë e votimit.

Kjo u tregua në Brazil këtë vit, ku Jair Bolsonaro – ndonjëherë i përshkruar si “Trump i tropikëve” – që humbi zgjedhjet. Duterte, filipinasi, u detyrua gjithashtu të jepte dorëheqjen këtë vit – megjithëse vajza e tij tani është nënkryetare e Ferdinand Marcos Jr. Në Britani, Boris Johnson, i cili u etiketua si “Britain Trump” nga ish-presidenti amerikan, u largua gjithashtu nga posti.

Por ”udhëheqësit e fortë” mund të fitojnë gjithashtu zgjedhjet.

Në Hungari, Orbán, fitoi rizgjedhjen mjaft lehtë. Në Izrael, Benjamin Netanyahu është gati të kthehet si kryeministër, duke udhëhequr koalicionin më të djathtë në historinë izraelite – duke përfshirë një ministër të sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, me një histori simpatie për terrorizmin e ekstremit të djathtë.

Në Arabinë Saudite, Princi Mohammed, ka rifituar besimin dhe autoritetin, së bashku me rritjen e çmimit të naftës.

Në Indi, Narendra Modi shkel liritë civile dhe vazhdon të dominojë politikisht. Në Meksikë, presidenti populist Andrés Manuel López Obrador, i njohur si Amlo, po ecën  përpara me ndryshime që pengojnë monitorimin e pavarur të zgjedhjeve.

Në Turqi, kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili pritej të kandidonte për presidencën vitin e ardhshëm kundër Recep Tayyip Erdoğan – sapo është dënuar me më shumë se dy vjet burg, me akuzën për fyerje të zyrtarëve publikë.

Në mënyra të ndryshme, Erdogan, Putin dhe Xi po demonstrojnë se ndërsa ”sundimtarët e fortë” shpesh bëjnë gabime të tmerrshme, është shumë e vështirë t’i heqësh qafe…

Por edhe në Turqi, sundimi i njerëzve të fortë është në rënie – ashtu siç është në Rusi dhe ndoshta në Kinë.

Ka mundësi që ky stil malinj i politikës të ketë arritur kulmin. Ka ende shpresë.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al