Lista Serbe ka reaguar pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Svelça i cili më herët u shpreh se institucionet e Kosovës e kanë kapacitetin për të hequr barrikadat serbe. Lista serbe i është përgjigjur me një paralajmërim të drejtpërdrejtë deklaratave të Svelçës duke u shprehur, se nëse tentohet që barrikadat të hiqen me dhunë, atëhëre ky veprim do të ketë një përgjigje nga populli serb.
“Ai e di shumë mirë se nuk ka ardhur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe as s’ka çfarë të kërkojë në rajonet tona. Theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heqë barrikadat me dhunë janë në favor të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës. Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmi nga Prishtina, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thuhet në deklaratën e Listës Srpska.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla u shpreh sot se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Në një postim në Facebook Sveçla theksoi gjithashtu se, veriu i vendit, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.
Tensionet në veri të Kosovës vijojnë. Policia bën me dije se është vendosur një barrikadë e re në lagjen Berxhane e cila të çon në Zvecan.Po ashtu njoftohet se, bllokimi është bërë gjatë orëve të natës. Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët.