Presidenti Bajram Begaj ka pritur në takim kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i cili ishte në një vizitë në Tiranë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Gjatë takimit, Begaj ka theksuar rëndësinë për të trajtuar çdo çështje të vjetër dhe të re me seriozitetin maksimal, duke iu referuar këtu edhe marrëveshjes me detin.
“Ju siguroj se çdo çështje e vjetër ose e re do të trajtohet me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të reciprocitetit dhe në respekt të Kushtetutës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, të drejtës ndërkombëtare dhe si vende aleate të NATO-s”, theksoi Presidenti Begaj.
Ndër të tjera, Kreu i Shtetit, foli edhe për Kosovën, për të cilën tha se njohja e Pavarësisë së saj, do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet dhe partneritetin midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike
Kreu i Shtetit e konsideroi praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si një vlerë të shtuar për këto marrëdhënie.
“Ato përbëjnë një urë të fortë, të vërtetë e të sinqertë miqësie e bashkëpunimi, për të cilën ne jemi të gatshëm ta forcojmë e promovojmë më tej”, u shpreh Presidenti Begaj.