MENU
klinika

"Keni mbajtur ndezur flakën e helenizmit!"

Mitsotakis pritet me flamuj grekë dhe thirrje në Himarë

23.12.2022 - 10:55

Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, zhvilloi dje një vizitë disaorëshe në Jug të vendit, ku takoi krerët e minoriteteve dhe autoritetet vendore në Himarë, Livadhja dhe Derviçan.

Në të parën vizitë të një Kryeministri grek në Himarë, Mitsotakis u shoqërua nga fituesi i medaljes së artë olimpike, Pirro Dhima, ndërsa shprehu mbështetje ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe premtoi përmbushje të të drejtave të pakicës kombëtare në vendin tonë.

Kiriakos Mitsotakis u prit me thirrjet “Greqi, na mbulo dhe ne”, “Eja baba”, flamuj grekë, këngë e valle popullore. Nuk munguan mesazhet e bashkëpunimit se minoriteti është ura lidhëse në marrëdhëniet mes 2 vendeve. Në vizitën e tij në Himarë ku mbërriti me helikopter ushtarak, Mitsotakis kujtoi vitin 1991 kur babai i tij mbërriti në vendin tonë dhe premtoi se do të lobojë si një faktor i rëndësishëm në përcjelljen e zërit të minoritetit pranë qeverisë shqiptare.

Mitsotakis u betua gjithashtu se do të përmbushë të drejtën e mësimit të gjuhës greke të fëmijëve të minoritetet dhe të drejtat e pronësisë. “Mbaj mend shumë të gjallë kujtimin e takimin e Mitsotakis në ’91. Dhe jam i nderuar që jam i pari Kryeministër që kam vizituar Shqipërinë. Me mua Himara do të ketë jo vetëm një përfaqësues. Unë isha, jam dhe do të mbetem mbështetës ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Por, duke përmbushur të drejtat tuaja, që rrjedhin nga minoriteti. Qeveria greke do të jetë pranë jush në përmbushje të të drejtave të kombësisë, mësimit në gjuhën greke të fëmijëve tuaj dhe të drejtat tuaja pronësore.

Betohem se do t’i mbroj të gjitha të drejtat tuaja”, tha Mitsotakis. Në fshatin e Derviçanit mirëseardhjen ia uroi edhe Kryeministri Edi Rama. Një valle e traditës greke dhe portreti i të atit të tij, Konstantinos Mitsotakis, ishin festa e përgatitur nga Bashkia e Dropullit. Të dy kryeministrat ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhënien e mirë mes dy vendeve me kontribut edhe të shqiptarëve me kombësi greke të Derviçanit, Himarës apo Livadhjas. “E di shumë mirë që bëmë shumë punë, i vumë shpatullat që të përshpejtohet perspektiva evropiane në Shqipëri dhe nuk është e rastit që sot janë dy flamuj, grek dhe ai shqiptari dhe mes tyre është flamuri i BEsë.

Arsyeja, rruga për integrimin e Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë, por do jetë e ngutur, sepse Shqipëria ia vlen të bëhet pjesëtare e Evropës. Kam kujdes për minoritetin grek dhe do bëj gjithçka mundem që t’iu ndihmoj dhe t’iu mbështes”, deklaroi Mitsotakis. Kyriakos Mitsotakis e ftoi të rikthehet në Derviçan për përurimin e sheshit që do të mbajë emrin e të atit të tij, Konstantinos Mitsotakis.

“Mund të bëjmë akoma më shumë për të zhvilluar të dyja zonat, zonën tuaj dhe zonën që ndodhet në Greqi dhe jemi duke e futur në rrugë çështje dhe projekte mjedisore, siç është edhe lumi i Vjosës, i cili buron nga Janina, por përshkon një rrugë të gjatë në Shqipëri dhe është i vetmi lum i madh në Evropë që nuk ka diga dhe duam së bashku, qeveria greke dhe shqiptare, ta mbrojmë atë. Këto janë projekte të cilat përfundimisht do të dalin në dobi të të dy popujve”, Mitsotakis.

Media në Greqi, “Protothema”, raportoi se Kryeministri Mitsotakis pati një pritje të ngrohtë në Himarë me flamurë grekë dhe slogane.“Kryeministri pati një mbledhje me anëtarë dhe përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri”, raporton gazeta greke. Më tej, mediat helene shkruajnë se Mitsotakis dukej optimist, ndërsa firmoste një marrëveshje për angazhimin në delimitimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë dhe këmbënguli se kjo është mënyra e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes vendeve të qytetëruara.

“Protothema” raporton po ashtu se Kryeministri grek, ndërsa u fliste njerëzve të pranishëm, u kujtoi se është detyrë e Shqipërisë që të respektojë deri në fund të drejtat e tyre.

“Ju falënderoj që mbani ndezur flakën e helenizmit dhe ortodoksisë në vite të vështirë, dhe sidomos më të vjetrit. Tek unë, minoriteti grek këtu do të gjejë gjithnjë një mik dhe një mbështetës të kërkesave tuaja. Ju që zgjodhët të qëndroni këtu, jeni një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis Greqisë dhe Shqipërisë, dijeni që unë personalisht kam qenë, jam dhe do të mbetem mbështetës i perspektivës evropiane të Shqipërisë. Detyrimi i Shqipërisë është të respektojë plotësisht të drejtat tuaja, pavarësisht nëse i referohemi të drejtës për vetëdeklarim, ose të drejtës që fëmijët dhe nipërit tuaj të mësojnë gjuhën greke në të gjitha nivelet, ose nëse i referohemi çështjes kritike te të drejtat e pronës”, citoi Kryeministrin e Greqisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E shoqëron peshëngritësi Pirro Dhima

Kryeministri grek vjen në Himarë, pritet me lule!