Prej një jave, në Prokurorinë e Elbasanit ka mbërritur një kërkesë nga autoritetet ruse për ekstradimin e Svetlana Timofoeva.
33-vjeçarja u arrestua bashkë me dy persona të tjerë më 20 gusht në ish-uzinën e Gramshit. Që prej atëherë, Timofoeva qëndron në qelitë e paraburgimit në Elbasan bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov. Pavarësisht kërkesës, autoritetet shqiptare nuk kanë marrë ende një vendim, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata. Mësohet se kërkesa ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas kërkesa është depozituar në Prokurori.
Autoritetet ruse pretendojnë se Svetlana Timofoeva në vitin 2018 është përfshirë në vjedhjen e dokumenteve sekrete shtetërore. Por, urdhër-arresti ndaj saj është lëshuar vetëm pak ditë pas ndalimit të 33- vjeçares në Shqipëri. Kërkesa pritet të shqyrtohet gjatë ditëve në vijim nga ana e Gjykatës së Elbasanit. Ndaj dy rusëve dhe të riut ukrainas, Prokuroria e Elbasanit ka ngritur disa akuza, përfshirë edhe atë të spiunazhit. Pavarësisht akuzave të ngritura, të arrestuarit kanë mohuar që të jenë përfshirë në aktivitete agjenturore, ndërsa ka pretenduar se ishin thjeshtë blogera dhe synimi i tyre ishte vizita dhe fotografimi i bazave të vjetra ushtarake. Prej arrestimit, vajza ka qëndruar në spitalin e burgut.
SI U KAPËN
Ka qenë ora rreth 17:40 minuta, kur roja e Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Ministria e Mbrojtjes thotë se ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. “Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojës dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spraj neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij”, thuhet në njoftim.
KUSH ËSHTË SVETLANA
Svetlana Timofeeva, 33- vjeçarja ruse, njihet në internet me pseudonimin Lana Sator. Që nga viti 2007, ajo ka një blog për “Ndërtesa të braktisura, strehime për bomba, instalime ushtarake, pajisje të vdekura”, dhe më vonë ka transferuar botime nga “Live Journal” në “Instagram”, ku më shumë se 250 mijë njerëz e ndjekin atë. Tre muaj më parë, për shkak të pozicionit të saj kundër luftës, ajo u detyrua të emigronte nga Rusia në Gjeorgji, detaj që përmendet edhe në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit, ku si adresë e dytë banimi jepet edhe Gjeorgjia, më konkretisht rruga “Vashlovani”, në kryeqytetin Tbilisi. Vajza ruse ka pasur edhe probleme të mëparshme me ligjet për shkak të vizitave të saj në zona të mbrojtura. Seti i saj fotografik nga uzina “Energomash” në Khimki afër Moskës, e cila prodhon motorë raketash, zemëroi kreun e atëhershëm të “Roskosmos”, Dmitry Rogozin, i cili e quajti “Sator” dhe miqtë e saj “minj arrogantë me kamera”. Ashtu si “Sator”, edhe rusi tjetër i arrestuar, Zorin, ka aktiv blogun për udhëtimet e tij dhe poston foto nga këto udhëtime.