Në mesin e një konflikti të ashpër të lindur mes ambasadores së SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama në lidhje me emërimin e kreut të SPAK, KLP vendos sot cili nga tre kandidatët do të marrë drejtimin e kësaj strukture e cila heton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.
Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili janë tre kandidatët. Kreu i SPAK ka qenë motivi i përplasjes mes ambasadores amerikane Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama.
Yuri Kim ka folur për tentativa për të mos pasur një garë të drejtë dhe transparente, ndërkohë që ditën e djeshme kryeministri Rama deklaroi se është KLP që e zgjedh kreun e SPAK dhe jo opozita apo ambasada e SHBA.
Në mesin e kësaj përplasjeje, 11 anëtarët e KLP kanë deklaruar se do të mblidhen sot në seancë në orën 10:00 për të shqyrtuar tre kandidaturat. Të tre kandidatët të renditur sipas rendit alfabetik do të dalin njeri-pas tjetrit para KLP dhe do të paraqesin platformën e tyre apo strategjinë se si ata do ta drejtojnë SPAK.
Më pas KLP do të marrë në konsideratë dhe karrierën apo dosjen e tyre dhe në fund do të bëhet votimi, i cili do të jetë i hapur. Kandidati që do të marrë më shumë vota do të pasojë Arben Krajën në krye të SPAK.
Njëri nga kandidatët është i mbështetur nga ambasada e SHBA, kjo për faktin si me sa duke ambasada e shikon si njeriun që mund të jetë larg ndikimit politik, nga ana tjetër një prej kandidatëve shihet si i preferuar nga ana e maxhorancës socialiste.
Kandidati i tretë në garë duket në një pozicion më komod dhe gjasat janë që të jetë pikërisht i treti.
Në zgjedhjen e parë të kreut të SPAK, në vitin 2019 Altin Dumani ishte i mbështetur haptas nga ndërkombëtarët. Kondili në atë kohë mori vetëm dy vota dhe në finale doli fitues Arben Kraja.
KLP ka 11 anëtarë, 6 prej të cilëve vijnë nga brenda sistemit, ndërsa 5 të tjerë janë të zgjedhur nga parlamenti. Beteja për kreun e SPAK do të jetë e vështirë dhe është kthyer në çështjen e përplasjes mes ambasadës së SHBA dhe qeverisë.