MENU
klinika

“Çdo minutë që kalon po rrezikon sovranitetin e Kosovës”

Opozita thirrje Kurtit: Hiqni barrikadat në Veri!

26.12.2022 - 20:43

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë sërish thirrje Qeverisë së Kosovës që të reagojë sa më shpejtë për të hequr barrikadat.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai theksoi se për heqjen e barrikafldave, Qeveria e ka mbështetjen e tij të plotë.

Ai shtoi se heqja e barrikadave është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, me heshtjen e saj, qeveria e Kosovës po ndihmon në krijimin e një realiteti të ri atje.

Krasniqi shprehu bindjen se barrikadat janë vendosur nga grupet kriminale serbe që operojnë në veri të Kosovës.

Reagimi i Krasniqit:
Në ditën e 17 të vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, Kryeministri Kurti realizoi edhe një takim me KFOR-in. Mbajti edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Dhe cili është rezultati?

Barrikadat mbesin, shpërthimet në pjesën veriore vazhdojnë, sulmet ndaj gazetarëve vijnë e shtohen, jeta e qytetarëve po rrezikohet, tentimi për të krijuar një realitet të ri po avancon e shqiptarët po largohen çdo ditë nga ajo pjesë e vendit tonë.

Qeveria duhet të jetë vigjilente dhe të reagoj sa më shpejtë për të hequr barrikadat të cilat janë kthyer në punkte të Vuçiqit, si tentim për ndarjen e Kosovës. Për këtë, po e përsëris, Qeveria e ka mbështetjen time të plotë.

KFOR-i ka bërë një punë të mirë deri më tani për të ruajtur paqen, për çka u jemi falënderues, mirëpo, heqja e barrikadave është para së gjithash përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.

Gjithsesi, në këto tri javë, dy gjëra janë të sigurta:

E para, barrikadat i kanë vendosur grupet kriminale të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim destabilizimin dhe nënshtrimin e Kosovës.

E dyta, në inkurajimin e këtyre grupeve dhe krijimin e një realiteti të ri atje, po ndikon tej mase heshtja dhe mosveprimi i Qeverisë.

Prandaj, siç kam bërë gjatë gjithë kësaj kohe, disa herë, po e bëj këtë thirrje përsëri sonte, uroj për herë të fundit:

Reagoni! Hiqni barrikadat! Çdo minutë që po kalon, po rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Qytetarët kanë votuar për Qeveri që e qeverisë krejt Kosovën e jo vetëm deri te Ura e Ibrit. Andaj, mos u zbrapsni se do të ju mbështesim të gjithë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN