Partizani është ndalur në barazim pas ndërprerjes së kampionatit, duke e mbyllur 3-3 sfidën me Erzenin në “Niko Dovana” të Durrësit. Një pikë që vlen pak për të kuqtë për nga mënyra se si shkoi ndeshja.
Ishin shijakasit ata që kaluan në avantazh të parët me Nonaton në minutën e tetë. Por kjo bëri që Partizani të reagonte dhe pas 5 minutash barazon me Carën, një supergol i sulmuesit.
Në minutën e 45-të të kuqtë përfitojnë penallti, por nga pika e bardhë Xhuljano Skuka gabon. Megjithatë, sapo nis pjesa e dytë, Partizani përmbys në 1-2 me anë të Rrapajt.
Të kuqtë çlirohen dhe në minutën e 55-të Skuka shlyen gabimin e penalltisë dhe shënon për 1-3. Kushtet atmosferike ndërprenë për disa minuta takimin. Erzeni ngushton në minutën e 92-të në 2-3 dhe merr zemër. Në fund ka penallti për vendasit dhe arrijnë të barazojnë shifrat, me shijakasit që edhe njëherë tregojnë se mbeten ekip i fortë dhe që hap probleme për pretendentët.